Kantautori i mirënjohur, Pirro Çako, ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Wake Up” për të folur për projektin e tij më të ri, “Triptik”. “Shpirt” është kënga që riktheu atë pas 4 vitesh mungesë në tregun muzikor. Ai u shpreh se në fakt ka patur 5 këngë gati, por vendosi që të publikojë 3 prej tyre pasi personifikojnë atë në këtë moment të jetës së tij.

Unë u nisa për të bërë një EP me 5 këngë dhe ato janë gati në fakt. Por ato 2 këngë nuk e përmblidhnin dot atë që më personifikonte në këtë moment të jetës sime. I eliminova dhe e lashë ‘triptik’. Vetëm tre ishin që lidheshin bashkë. Domethënë një “Triptik” mund të jenë edhe që lidhen, por mund të jenë edhe veç e veç. Unë them se qëndroja tek të treja dhe prandaj i eliminova dy këngë.

Lidhur me këngën “Shpirt”, Pirro na zbulon më shumë:

Kënga “Shpirt”, u nisa nga perceptimi që kanë njerëzit, kur ne dashurojmë apo ndahemi, të gjithë kemi të njëjtën ndjesi. Pra kjo ka lindur dhe do të vdesë me njeriun, nuk mund të ndryshojë. Muzika do të ndryshojë, rrymat do vijnë të ndryshme, kaq të ndryshme sa ky gjeneracion sot pas 50 vitesh nuk do ta kuptojë fare se çfarë muzike është bërë sot. Por ky lloj stili dhe kjo lloj mënyre e të thënit nuk do të ndryshojë asnjëherë, sepse emocioni i dashurisë ka lindur me njeriun dhe të gjithë ne e provojmë njësoj. U nisa të bëj një këngë “Shpirt”, një baladë jo komerciale, por që e ka komercin brenda sepse çdo njeri do ta gjejë veten te kjo këngë në kohë, të dashurojë i ri apo i vjetër, mbas 100 vitesh. Prandaj u nisa të bëj një këngë “Shpirt”, për të treguar që dashuria do të mbetet gjithmonë e njëjtë, shija e saj do të jetë gjithmonë e njëjtë, në çdo kohë.

Lidhur me dy këngët e tjera, artisti na ka treguar:

Kënga e dytë titullohet “Tjetër njeri” që flet për jetën time pasi unë u ribëra baba. Teksti i këngës flet i gjithi për këtë përjetim dhe realiteti që unë kam kaluar vitet e fundit. Kjo më dha dhe spunto. Djali i vogël, Amadeus, ka kënduar tek kjo kënga, ka bërë një belbëzim dhe e kam ruajtur në fund të këngës. Do të jetë edhe në klip në një lloj mënyre. 

Kënga e tretë, “Radio në qiell” flet për gjithë atë rrugëtimin tim si artist, që kur babai më mësonte pianon dhe insistonte që unë të merresha me muzikë e derisa unë imagjinoj që një ditë nuk do të jem më dhe i ftoj njerëzit që përmes radios sime të më dëgjojnë.

A janë 4 vite shkëputje nga tregu, një periudhë e gjatë për një artist?

Është një kohë e gjatë për një artist. Vitet e mia të arta kanë qenë dikur. Koha ka ndryshuar dhe e kam për luks që të vë një gur më shumë më muzikë. Ky rikthim mbase do të ketë edhe këngë të tjera.

A do të vijë Pirro së shpejti me ndonjë bashkëpunim?

Kisha dëshirë të dilja vetëm këtë herë, sepse nuk ishte komeciale. Ndoshta do të vazhdoj edhe bashkëpunimet, për kënaqësi, sepse ka shumë artistë që ma kanë shprehur këtë. Atë që doja të thoja e thashë në këtë triptikë. Do të bëja bashkëpunime me të gjithë ata artistë që janë të suksesshëm, do të kisha dëshirë. Nuk do të ndalem këtë periudhë.