Marigonën e kemi dëgjuar për herë të parë në “The Top List” me bashkëpunimin e saj me Wenda, “Helm”. Jo vetëm kaq, por dyshja ka bashkëpunuar gjithashtu dhe në një tjetër këngë, “Leje”. Pas suksesit të këtyre dy të fundit, tashmë Marigona ka ardhur në një projekt solo.

Artistja ka publikuar së fundmi projektin e saj më të ri të titulluar “Fajet”. Një këngë kjo që duket se është pritur mjaft mirë nga publiku, i cili e ka votuar për të hyrë menjëherë në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards.

“Fajet”, një këngë romantike dhe melankolike, e ka sjellë Marigonën shumë të ndjerë. Videoklipi duket i thjeshtë dhe kjo i shton më shumë veçantinë këtij projekti. Marigona nuk ka dalë shumë nga vetja e saj, por “Fajet” mbetet për t’u vlerësuar.

Momentalisht Marigona me këngën e saj renditet në vend të 100-të të klasifikimit të “The Top List”. Na mbetet të shohim se cili do të jetë rrugëtimi i kësaj kënge në renditje.