Grupi Jericho ka publikuar këngën e re, duke shënuar kështu rikthimin në skenën muzikore pas tre vitesh. “Në garë për Qeveri” mban titullin kënga e tyre e re e rrymës rock që është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”.
Muzika dhe vargjet e tekstit janë realizuar nga vetë solisti i grupit, kantautori Petrit Çarkaxhiu. Ashtu si shumë këngë të tjera të Jericho-s, edhe “Në garë për Qeveri” duket se merr frymëzim nga aktualiteti në të cilin gjendemi.
Kjo këngë frymëzon ndër rreshta realitetin e shumicës prej pushtetarëve sot. Sipas tekstit vihen në dukje njerëzit me shumë fytyra që i shohim përditë në mesin tonë teksa ngjiten në shkallët e karrierës së tyre.
Pak a shumë të njëjtit njerëz si në pushtetet e kaluara, veçse me fytyra të ndërruara që sot i shohim teksa vrapojnë “në garë për Qeveri”. “Në garë për Qeveri” e ka renditur Jericho në vend të 84-të të klasifikimit për këtë javë.