Së fundmi në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio, ishte i ftuar në studio regjisori i njohur, Ergys Lubonja për të na folur pak më shumë rreth spektaklit “A Live Night” që ka nisur çdo të shtunë në Top Channel.
Si lindi “A Live Night”, çfarë ka dashur Ergysi të sjellë në këtë spektakël unik?
Nisi si vazhdim gati natyror i “Top Awards”, program që ne e bëm me shumë dashuri 4 vite më parë. Diskutim pas diskutimi u propozua ky format dhe na u duk interesant, është unik. Është një cikël dokumentarësh muzikor. Bëhet pikërisht në këtë studio nga ku po flasim. E dua këtë studio, kemi kaluar netë të bukura. Aspekti dokumentaresk i gjësë është i veçantë, është artisti i cili përveç se bën pjesët më të mira muzikore të karrierës së tij ka edhe një rrëfim personal me pyetje të gjetura, ku ata rrëfejnë pjesë që nuk para i kanë rrëfyer.
Në aspektin e të gjithë gjësë cila do të jetë risia?
Risia është stili dokumentaresk i gjithë gjëse. Për herë të parë ne sjellim një spektakël në formatin më të lartë të definicionit, është i xhiruar në një stil krejt të veçantë dhe çdo gjë vjen më filmike. Pastaj është kontenti i emisionit, pyetjet, rrëfimi është shumë i veçantë. Përpunimi i këngëve është shumë interesant, vijnë të ripërpunuara nga pjesa e stafit muzikor, është një bandë simpatike me pesë vegla. Janë të gjithë personazh më vete dhe shumë aktiv në gjithçka që ndodh. Marrim kënaqësi të gjithë nga ky spektakël. Është konceptuar në një studio të vogël, që këngëtarët të ndjehen komod.
Si janë strukturuar pyetjet për artistët?
Është rrëfim në përgjithësi. Stafi ka punuar shumë, formati i pyetjeve mua më ka pëlqyer shumë, ka pyetje interesante në fund por që nuk duam t’i zbulojmë. Puna me artistët sa e bukur është edhe shumë e vështirë. Këngëtari i natës së tretë do të jetë Capital T i cili do të vijë me një rrëfim shumë të veçantë të karrierës së tij, të hiteve ndër vite. E kemi shijuar shumë me të. Është djalë i ri me karrierë të gjatë, ka realisht shumë videoklipe.