Artistët shqiptarë kohët e fundit kanë qenë më aktivë se kurrë për të prodhuar projekte të reja muzikore. Nga java në javë, shohim një rritje në numrin e publikimeve të këngëve të reja.

Por përveç këngëve moderne, pop, hip-hop, balada, po vihet re dhe një tendencë tjetër në rritje. E tillë është muzika me elementë të popullores apo tallavasë.

Tendenca që vërehet në këngët moderne shqiptare për t’iu afruar më shumë stilit popullor, tallava apo ritmeve orientale lidhet me disa faktorë kryesorë. Publiku i gjerë shpesh ka preferenca për ritme të lehta, të kapshme dhe ritmike, gjë që e ofrojnë zhanret si popullorja moderne apo tallavaja. Artistët, duke ndjekur kërkesën e tregut, e adaptojnë stilin për të pasur më shumë klikime, dëgjueshmëri dhe koncerte. 

Këngët me elemente tallavaje shpesh janë më të thjeshta në tekst dhe melodi, gjë që i bën më të lehta për t’u kënduar dhe për t’u bërë virale në rrjete sociale. Kjo ka bërë që shumë artistë të përqafojnë elemente nga ky stil.

Artistë të njohur shqiptarë, kanë krijuar këngë që kombinojnë elemente të muzikës pop me ato tradicionale shqiptare. Nga projektet e fundit të publikuara, ku shohim një tendencë të tillë, mund të përmendim “Luje belin” nga NRG Band dhe Nora Istrefi, “Luje” nga Lisi dhe Ermal Fejzullahu, “Raki” nga Olsi Bylyku dhe Anduel Kovaçi, “Naqe” nga Don Phenom dhe Eli Malaj, “Vajza që du” nga Shpat Kasapi, apo dhe “Romanca” nga Bardhi dhe Melinda, të cilat mund t’i dëgjoni në Melody TV.