Tradita e Top Channel vazhdon dhe këtë vit me një surprizë të madhe për të gjithë shqiptarët. Këngëtarja e madhe shqiptare, Parashqevi Simaku i rikthehet muzikës disa dekada më pas pikërisht në ekranin më të madh shqiptar, Top Channel. “E duam lumturinë” kjo është kënga e përzgjedhur për 2024 nga Top Media.
Kënga nis me këngëtaren Parashqevi Simaku dhe më pas vijon me personazhet më të dashur të ekranit, që i shikojmë çdo ditë përmes projekteve. Në studion e “Wake Up” kanë qenë të ftuar mëngjesin e sotëm, kompozitori i këngës, Pirro Çako dhe producenti Alban Male, për të zbuluar më shumë ndjesitë e tyre pas rikthimit të kësaj kënge.
Pirro Çako rrëfen:
Kisha kohë që e kërkoja Parashqevinë, e kontaktoja në email, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Që atëherë pas asaj nate magjike nuk u takuam më kurrë dhe doka ta rikujtonim. Kur mora vesh lajmet, nuk e besova. Mendova se vazhdonte jetën e saj. U ndjeva shumë keq. Për kengën që u risoll, është diçka e jashtëzakonshme, ndihem i nderuar që u realizua nga Top Media dhe Alban Male.
Lidhur me historinë e këngës, Alban Male tregon:
Historia ime me këngën nis që herët, kur kam qenë në klasë të pare tek “Kongresi i Përmetit” dhe kanë ardhur për të marrë disa fëmijë për korin e këngës atëherë dhe nuk u zgjodha. Ndoshta do ishte një mundësi e mirë për ta takuar Parashqevinë. Pirro ka shumë këngë por është një nga dashuritë e para të tij kjo, e di që Pirro ka qenë i lidhur me këtë këngë. Plus ka dhe vlerë dhe pas ngjarjeve të fundit.
Si e kujton Pirro Çako periudhën e krijimit të këngës?
Kur ia kam treguar këngën Parashqevisë, kam qenë vetëm. Kënga kishte shumë pak fjalë. Sa isha afruar me Agim Doçin, ai besoi te unë, nuk më njihte njeri atëherë. Hodhëm një ide që të vinte Parashqevia të këndonte një këngë. Ja kam treguar si ide, por pa këtë të fëmijëve. Pastaj zgjodhëm fëmijët te shkolla. Por ne nuk kishim fjalët. Dhe Agimi aty i ka shkruar fjalët, brenda në sallë. Pastaj shkoi me biçikletë mori Parashqevinë dhe e solli. Kur ja treguam dhe me fëmijët, aty u gëzua. U bind akoma edhe më shumë kur ndodhi kjo.
Ti së fundmi ke komunikuar dhe me Parashqevinë. Si ishte biseda jote me të pas shumë vitesh?
Ka shumë sinqeritet aty, nuk e dija që po filmohej. Aty mu mbushën sytë me lot, u lumturova shumë. Ishte më e gjatë si bisedë. Ajo e çmonte shumë dhe babain tim. Kur më pyeti për babain, e kuptova që nuk kishte një problem aq madhor sa mendohej, thjesht ishte tërhequr nga realiteti i Shqipërisë. Por memoria e saj ishte shumë e mirë. Nuk kishte humbur asnjë presje nga ajo kohë. Kam deshirë të bëj një bashkëpunim, për kënaqësinë e publikut.
Lidhur me traditën e fundvitit të këngës së Top Media-s, Albani u shpreh:
Kënga bëhet prej vitesh në Top Media. Është një ide interesante që ka pasur i ndjeri Dritan Hoxha. Në fillim ka qenë “We Are The Champions”. Pas kësaj erdhëm te këngët shqiptare. Flas për veten time këtu, kur them se botëkuptimi i njeriut ndryshon me vitet. Këto lloj krijimtarie nuk mendoja që ishin aq të rëndësishme. Me kalimin e kohës e kupton vlerën. Mundësitë për të bërë një këngë sot janë të pafundme, por dikur ka qenë shumë e vështirë. Sot e vlerësoj ndryshe. Kënga e fundvitit, ka qenë si një tribut i ngjarjeve të rëndësishme të vitit.
Cila ka qenë ajo këngë që të ka lënë më shumë impakt?
Një emocion të madh ka pasur me këngën që erdhi pas tërmetit. Menduam a është momenti për të kënduar apo jo. Ka qenë kënga “Ende ka shpresë” nga Alban Skënderaj dhe Miriam Cani. Donim të bënim diçka që ta kalonim atë që kishte ndodhur.
Pirro, do bësh një bashkëpunim me Parashqevinë?
Fjala ime ishte e sinqertë. Zoti i bën gjërat. Nuk dal nga fjala, e bëj me dashurinë m të madhe, por do dhe kohën e vet. Do doja të vinte Parashqevia këtu.
Si ka qenë 2024 për ty?
2024 për mua si artist ka qenë shumë i suksesshëm. U riktheva në muzikë, por jo për shumë hkatë, shumë shkurt. Nuk kam qëllime që të kthehem plotësisht si kantautor, por do bëj diçka herë pas here për fansat e mi. Si kantautor e kam të vështirë, çdo gjë ka limitin, kohën e vet. Është e vështirë të vendosesh para të rinjve në festival sot dhe të thuash që ‘kam ardhur për të fituar’.