Këngëtarja me zërin e veҫantë Hana Cakuli, rikthehet me një projekt të ri muzikor pas shumë vitesh që na mungonte. “Përjetë” është titulli i këngës së re e cila vjen si një dedikim për një ҫift partnerësh që fatkeqësisht nuk jetojnë më. Për shkak të lidhjes së afërt që Hana kishte me ata, lindi dhe u finalizua ideja e këtij projekti shumë të ndjerë, tek i cili me siguri e gjejnë veten ata që kanë humbur të dashurit e tyre.
Prej 9 vitesh Hana jeton në Gjermani, e martuar dhe shumë e lumtur si nënë e dy vajzave. Ne e kujtojmë që në kohët e “Top Fest” me këngët e saj “Dashuria e fatit tim” apo “Çka do t’u themi nënave” apo me hitet e saj të tjera si “Unë vendos”, “U shërova” apo “Simbol”. E ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” ajo ka diskutuar më shumë lidhur me projektin e saj të ri.
Pse prite kaq gjatë për një projekt të ri muzikor teksa janë bërë 9 vite që je larguar për një jetë të re në Gjermani?
Nuk është se prita gjatë, sepse nuk kam vendosur një ‘timer’ dhe jeta ka ato të vetat. Që kur jam zhvendosur në Gjermani, fokusi im ka qenë tjetër. Nga muzika nuk jam shkëputur, kjo nuk ndodh asnjëherë, por jam shkëputur nga muzika shqiptare. Këtu kam krijuar band-in dhe kam kënduar live në evente të ndryshme. Unë vetë kam qenë aktive në muzikë por me këngë shqiptare është e vërtetë që kam munguar. Jam munduar që të bëj dhe diçka këtu ku jam duke jetuar, në Mynih. Dhe mendoj se me këtë këngë erdhi momenti spontanisht që të rikthehem.
“Përjetë” është një dedikim shumë i veҫantë për dy njerëz të rëndësishëm në jetën tënde të cilët nuk jetojnë më. Si lindi kjo këngë?
Janë të dy persona shumë të veçantë për mua. Se si lindi e gjithë kënga është se vetëm njëri person humbi jetën dhe personi tjetër kishte dëshirë që t’ia kushtonte një këngë. Të njëjtën gjë e ndieja edhe unë. E diskutuam këngën, është inçizuar. Deri tek inçizimi ka qenë një rrugëtim që jo çdokush do të ishte i gatshëm që të punonte në jë projekt kaq të ndjeshëm. Projekti u bë akoma edhe më shumë i ndjeshëm, kur gjatë kohës që po punonim me anën vizuale, edhe personi i dytë humbi jetën. Ky ishte një shok për mua dhe për gjithë familjen. Kënga është bërë fillimisht vetëm për personin e parë dhe në fund i gjithë ekipi mendoi që të tregonim në klip gjithë historinë e tyre se sa shumë janë dashur. Është një këngë që secili që mund të ketë humbur dikë të dashur, mund ta gjejë veten.
A është ky projekti më i veçantë që ke bërë ndonjëherë?
Patjetër që po. Nuk ishte ideja që të bënim një rikthim të tillë domosdoshmërisht, por erdhi në mënyrë spontane. Më parë është një dedikim për mua dhe shumë speciale, në këngë, në animacion. Definitivisht nuk mund ta krahasoj me këngë të tjera.
Sa i rëndësishëm është për ty teksti i këngëve të tua?
Mendoj se 50% është melodia, 50% është teksti. Nuk mund të shkojnë pa njëra-tjetrën. Duhet që të dyja të tregojnë një histori. Teksti e bën një pjesë shumë të rëndësshme sepse nëpërmjet tij, ti jep mesazh. Muzika pop e ka këtë fuqi që t’i bëjë këto, të japë një mesazh, t’i bëjë njerëzit për vete, t’i japë një forcë ose një ngushëllim dhe mendoj se nëpërmjet tekstit arrihet kjo. Gjithmonë në gërshetim me melodinë, patjetër.