Një tjetër banor i “Big Brother VIP 4” i bashkohet familjes së madhe të Top Awards. Bëhet fjalë për Rikin, i cili debuton këtë javë në klasifikimin e “The Top List” me projektin e tij “O spo ma nin”.

Pasioni i Rikit për muzikën ka lindur që në një moshë të re. Ai e filloi karrierën e tij artistike duke publikuar cover-a të ndryshëm, kryesisht ato të muzikës qytetare. Që herët, u dallua talenti i tij si një ndër zërat më premtues të tregut. Më pas ai nisi me publikimin e këngëve të tij origjinale, ku ndër të parat mund të përmendim “Një dashni”, “Pse po lun”, apo “Garant e din ti”.

Riki fitoi një popullaritet edhe më të gjerë me pjesëmarrjen e tij në edicionin e katërt të “Big Brother VIP Albania”. Pavarësisht qëndrimit të tij të shkurtër, Riki arriti të lërë një përshtypje të mirë brenda shtëpisë, duke krijuar lidhje me disa prej banorëve dhe duke sjellë një energji të re në format.

Pas daljes së tij nga reality show, Riki shumë shpejt u bë mjaft aktiv me projekte të reja muzikore. Kënga e tij “O spo ma nin”, arriti të merrte gjithë vëmendjen e fansave dhe të votohej për të qenë pjesë e “The Top List”, projekt ky me të cilin Riki vjen për herë të parë në Top Awards.