Kantautori Arbër Salihu, apo siç njihet me emrin e tij artistik La Fazani, është pjesë e muzikës prej rreth 10 vitesh dhe në vitin 2014 së bashku me këngëtarin Tomor Kuçi kanë krijuar grupin”Oborri”, ku videoklipi i tyre i fundit daton në dhjetor të 2017–ës dhe titullohet “Gjuj me dritë”. Projekti i dy djemve nga Prishtina, “Gjuj me dritë” asokohe tërhoqi vëmendjen e publikut për vargjet e lira hip-hop edhe mesazhin që përcolli, një thirrje për të gjithë të rinjtë kosovarë të përfshirë në një vorbull depresioni, si dhe u bë pjesë e klasifikimt të Top Awards para 4 viteve.

Tashmë kantautori Arbër Salihu ka vendosur ka vendosur të fillojë karrierën solo dhe vetëm pak ditë më parë ka publikuar projektin e tij të parë muzikor “Jupiteri”, e cila është një këngë intime dashurie. Për gjithçka lidhur me këtë projekt, i cili do të pasohet me të tjera në vijim, ai është kujdesur bashkë me të dashurën e tij, por më shumë detaje na tregoi ai vetë në një intervistë për “Wake Up”.

Arbër si fillim përse ke zgjedhur emrin e artit “La Fazani”?

Në projektet e reja të albumit që do të dalë më vonë këtë vit, janë këngë në të cilat unë jam goxha llafazan. Flas sa nuk më ndalet goja. Jam ‘llafazani’, por njëkohëshisht fazani është ky zogu i bukur me ngjyra plot. Kështu që është një lojë e fjalëve. 

Çfarë kuptimi ka fraza “secili yll e ka një fyll” në këngën tënde?

Është një observim që ndonjëherë është mirë t’i besosh universit dhe mesazheve që na përçon. Secilit njeri besoj se i dërgon mesazhe qoftë me anë të dashurisë, qoftë me anë të muzikës, apo me anë të inspirimit dhe sa ne jemi të hapur ta perceptojmë. 

Çfarë të frymëzoi për këtë projekt?

Dashuria padyshim. Është një këngë e dashurisë. Është hera e parë që lançoj një këngë kaq ‘ashiqare’ pa asnjë mesazh tjetër përveç dashurisë. Çfarë e bën më shumë unik është se e kemi realizuar vetëm unë dhe e dashura ime, e kemi realizuar me iPhone 11 vetëm unë dhe ajo. Dhe e bëmë, ia dolëm.

Si ka ndikuar pandemia në krijimtarinë tënde?

Jam ndër njerëzit e rrallë që them se pandemia më ka bërë mirë. Se me çfarë jam marrë më shumë gjatë pandemisë, përveç se jam marrë me këngët e ambumit tim, gjithashtu kam përdorur dhe Instagramin më shumë, në sensin që kam krijuar më shumë video të një karekteri unik. Kam krijuar këngë origjinale prej situatave  triviale. Kam krijuar këngë për shembull të temave të ndryshme, si papuçet, apo vaksinimin, apo tematika të ndryshme. 

Si erdhi vendimi për të krijuar një karrierë solo?

Ndodhi vetëvetiu. Jeta na çon në një drejtim të ndryshë. Tomori iku në Angli, kurse unë ika për të jetuar një vit në Vietnam. U shpërndamë dhe filluam të merremi me muzikë veç e veç. Edhe stilet muzikore na ndryshuan. Unë shkova më shumë drejt Hip-Hot dhe R&B. Tani jam duke eksperimentuar në këtë album të ri që do të dalë gjatë verës dhe është shumë Hip-Hop. 

Sa këngë do të përmbajë albumi i ri?

Besoj se do të jenë 9 këngë. Të gjitha këto Hip-Hop. Partnerja ime do të jetë pjesë e realizimeve të projekteve, por nuk e di a do të jetë më si aktore. Shumë prej vendime artistike që marr, ajo është e përfshirë, është njeriu kryesor me të cilin konsultohem dhe erdhi krejt natyrshëm.

Çfarë komentesh ke marrë deri më tani?

Shumë njerëz më kanë shkruar. Është një projekt unik dhe është një stil që në Kosovë apo Shqipëri nuk është parë. Edhe klipi që kemi realizuar e ndjek dritën, e ndjek bukurinë. Kemi hyrë shumë në detaje për të dalë diçka shumë e bukur. Edhe vetë kënga si zhaner nuk është diçka që bëhet shumë këtu. Kam marrë shumë dashuri e mesazhe inkurajimi. 

Po Genc Salihu, vëllai yt çfarë tha?

Genci e ka pëlqyer shumë. Është shumë krenar që e kam punuar të gjithën vetë. Është shumë krenar që po ja dal të bëj produkte të këtij standardi. Është shumë e vështirë t’ia kënaqësh standardet Gencit. Mund të thm që kjo këngë i ka pëlqyer shumë dhe nuk ka pasur asnjë vërejtje. Për këngën e ardhshme që do të lançoj së shpejti, nga ana tjetër ka pasur kritika.

Çfarë të presim nga ti në vitin 2022?

Në vitin 2022 do të kemi shumë projekte të reja, do të lançojmë shumë videoklipe. Do të dalë dhe albumi. Kam punuar prej disa vitesh për këtë moment që tani të dal e të shpërthej. 

“Jupiteri” renditet në vend të 42-të të klasifikimit të “The Top List”.