ParadoX është bërë i njohur për “Top Awards” falë projektit të parë muzikor, “Back to Her”, i cili ka qënë pjesë e klasifikimit për disa javë rresht.
Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një vit nga debutimi i tyre, dyshja e talentuar Anxhela Llaha dhe Andi Lazaj, kanë bashkuar fuqitë për projektin e dytë muzikor, të titulluar “Soul”.
Të kontaktuar nga “Top Awards” lidhur më prurjen e tyre më të re, Anxhela ka treguar më shumë detaje rreth “Soul”.
Top Awards: Si po shkon bashkëpunimi yt me Andi Lazaj?
Anxhela Llaha: ParadoX-i, do pëlqeja ta quaja bashkëpunimin me Andin, po ecën shumë mirë dhe do vazhdojmë të kemi shumë produkte të reja muzikore.
TA: Pse keni vendosur ta quani grupin tuaj ParadoX?
Anxhela: Kur po kërkonim për një emër grupi, po kërkonim për një emër i cili të ishte i veçantë dhe të tingëllonte bukur. Dhe pas shumë kërkimesh ParadoX na u duk si emri i duhur.
TA: Si lindi ideja për këtë projekt muzikor?
Anxhela: “SOUL” , sipash nesh, është një këngë e krijuar për udhëtime të gjata natën, për ato ditët me shi kur thjesht dëshiron të mendosh e të qetësohesh.
TA: Pse keni zgjedhur këtë titull për këngën?
Anxhela: Titulli i këngës është krijuar në bazë të ndjesisë që të jepte muzika dhe për ne kjo e fundit jepte një ndjesi kur do të jesh vetëm dhe thjesht të gjesh qetësinë me veten. Dhe rreth kësaj ndjesie është krijuar titulli dhe më pas teksti.
TA: Për çfarë flet kënga? Cilit zhaner muzikor i përket ajo?
Anxhela: Kënga si rrymë i përket një nënrryme të “DeepHouse”, e cila quhet “TechHouse”. Kënga flet për të gjeturin e vetëvetes, për të zotëruar vetëveten, atë që ti je.
TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?
Anxhela: Me muzikën është marrë Andi, me tekstin dhe vijën melodike unë, por që kemi patur dhe shkëmbime ideshë, në fund të fundit kjo është punë në grup.
Ideja jonë për klipin ishte të kishim dy personazhe të cilët nuk ishim ne. Kejli Doda dhe Marsid Kala janë personazhet të cilët kanë dalë në videon e këngës. Klipi është xhiruar nga Arnold Halili dhe montimi i videos është bërë nga “Papadhimitri Production”.
Nuk ka si të mungojë dhe ndihma e Bojken Lakos për realizimin e gjithë kësaj.
TA: Mendoni se kënga duhet të ishte publikuar gjatë sezonit veror?
Anxhela: “SOUL” është krijuar dhe planifikuar për t’u publikuar në periudhën e vjeshtë-dimrit. Vetë teksti thotë “Rainy days, winter coats..” por ka patur komente dhe mendime që mbase në bazë të videos duhet të ishte publikuar në sezonin veror. Por ne mendojmë që është më bukur kështu, ndjesia i përshtatet këtij sezoni dhe videoja e bën këngën le të themi, paksa paradoksale.
TA: Që në javën e parë jeni në “The Top List”, çdo të thotë kjo për ju?
Anxhela: “The Top List” e vlerësojmë shumë dhe është kënaqësi të jemi pjesë në këtë kalsifikim të muzikës më të mirë dhe më të dëgjuar shqiptare.
TA: Një përshëndetje për të gjithë ata që kanë votuar këngë tuaj..
Anxhela: Faleminderit të gjithëve që mbështesni muzikën tonë, projekte të reja janë rrugës, vazhdoni të na votoni në “The Top List”!