Dj Iljano është një nga artistët që i shtohet këtë javë listës së Top Awards. Por ai nuk vjen vetëm…

Dj Iljano vjen për herë të parë në klasifikimin e “The Top List”, jo me një, por me dy projekte të reja. Ai ka arritur që të sjellë në një mënyrë shumë inovative dhe të freskët, dy këngë të dy gjeneratave të ndryshme.

Bëhet fjalë për remix-in e “Luaj” të këngës së Vesa Lumës, si dhe “Erdhi pranvera” nga kënga e Kozma Dushit. Artisti i mirënjohur vjen kështu për herë të parë në “The Top List”.

Ylli Shahaj, i njohur si DJ Iljano, është DJ profesionist si dhe producent muzikor. Iljano lindi në Vlorë më 09.11.1990 dhe bëri debutimin e tij të parë në vitin 2006, kur ai dhe disa miq të tij krijuan labelin e quajtur “Baba Records”. Gjithashtu, në vitin 2006, Iljano filloi eksperiencën si DJ në festa dhe party-t e miqve të tij. Në vitin 2007, Iljano debutoi si producent, duke krijuar këngën e tij të parë në bashkëpunim me grupin The Neighbours, të titulluar “Pa Ty”. Pas disa bashkëpunimeve dhe krijimeve për artistë të ndryshëm, Iljano realizoi një tjetër këngë në bashkëpunim me një nga MC-të më të njohur të momentit në Ballkan, të quajtur MC Robinho. Kënga titullohej “Nights of Love”. Ky bashkëpunim ishte një përvojë e re për Iljanon dhe, pas pesë muajsh, ai bashkëpunoi sërish me një tjetër artist të njohur nga Rumania, të quajtur Tony Ray. Në vitin 2010, Tony Ray ishte mjaft i njohur si producent muzikor në Ballkan dhe, së bashku me DJ Iljanon, krijuan këngën “More and More”. Gjithashtu, në vitin 2010, ai mori pjesë në konkursin për DJ “Verë 2010 Performance DeeJay”, ku triumfoi në natën finale me çmimin “Radio Deejay”. Në vitin 2011, Iljano krijoi një këngë të re së bashku me këngëtaren shqiptare Sabina Dana. Kënga u titullua “Motivi Je Ti” dhe u shoqërua me videoklipin zyrtar. Një vit më vonë, në vitet 2011-2012, ai mori pjesë si producent muzikor në Top Fest dhe Kënga Magjike me artistët Denis Hasa dhe Himena Ymeri. Në të njëjtën kohë, Iljano vazhdoi të prodhojë muzikë dhe njëkohësisht të performojë si DJ profesionist në klubet dhe lokalet më të njohura të Tiranës, Kosovës, Francës etj. Një nga sukseset e tij më të mëdha është ai i vitit 2020, kur së bashku me DJ-n e njohur rumun, DJ Dark, krijuan cover-in e këngës së njohur serbe “Lane Moje”, e cila numëron mbi 350 mijë kërkime në Shazam, u rendit në Top 5 si një nga këngët më të dëgjuara në Turqi për tre muaj rresht, dhe u rendit në vendin e 41-të në “Shazam Global House Chart” si një nga këngët më të kërkuara. DJ Iljano numëron mbi 100 këngë të realizuara me artistë shqiptarë dhe të huaj, ndër të cilët mund të përmendim: Vesa Luma, Naser Berisha, Fatjeta Barbullushi, Stine, Evi Reçi, Irkenc Hyka, Ermal Fejzullahu, Big Basta, DJ Dark, Tennebreck, etj. Ai numëron mbi 25 milionë dëgjime në të gjitha platformat muzikore dhe, aktualisht, është një nga DJ-t më aktivë të momentit, me projekte muzikore çdo muaj.

Këngëtari beratas Kozma Dushi lindi në lagjen Mangalem, Berat, më 23 gusht 1955. Ishte trashëgimia që nga gjysh Vasili, që i këndonte këngët popullore me shumë dashuri, që nxori nga kjo familje, pas Dhimitrit, si vazhdues i kësaj tradite, edhe Kozmain. Vëllai i tij, Dhimitri, do të luante një rol të madh në futjen e Kozmait në rrugën e bukur të këngës. Dëshira për të kënduar Kozmait i lindi që në moshë të vogël. Ai, duke ecur me shokët në rrugët e kalldrëmta të Mangalemit, shpesh ia merrte këngës. Kjo dëshirë i lindte edhe në gjumë. Këtë e kishte vënë re e ëma, Andromaqi, e cila ngrihej dhe e mbulonte, kur e shihte të zbulohej. Në fillim u shqetësua, por më vonë e kuptoi se i biri ishte shumë i dhënë pas këngës. Më 1964, kur ishte 10 vjeç, mësuesi i muzikës zbuloi te Kozmai talentin e tij. I krijoi mundësi që të aktivizohej me fëmijët në Shtëpinë e Pionierit. Ky ishte hapi i parë i tij drejt këngës. Kozmai këtu u lidh akoma më shumë me këngën. Këndoi me raste festash dhe në festivalet e fëmijëve. Për herë të parë në skenë del me këngën e Luan Sadushit, “Çekiçi dhe dalta”. Përfundoi shkollën e mesme “Kristo Isak”. Më pas, nga vitet 1970-1973, u aktivizua në estradën e Beratit. Pas këtyre viteve, shkoi ushtar. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, u aktivizua me grupet artistike si këngëtar. Më 1980 konkurroi për kanto dhe u pranua në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, më 1985, emërohet në Estradën e Shtetit. Këtu për të filloi një jetë e re artistike. Tani i duhej të bënte më shumë punë, pasi ndodhej midis këngëtarëve shumë të njohur dhe me shumë përvojë, si: Luan Zhegu, Ema Qazimi, Liliana Kondakçi, Irma Libohova, etj. Ai gjeti midis tyre ngrohtësi dhe fitoi dashurinë e tyre. Kozma Dushi ka marrë pjesë për herë të parë në Festivalin e 15-të të këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe vazhdon aktivitetin e tij si këngëtar akoma sot. Kozmai është pjesëmarrës i më shumë se 30 Festivaleve të Këngës në RTSH. Sukseset e arritura në këto festivale ia njeh për meritë dirigjentit të madh, Artistit të Merituar, Ferdinand Deda, si dhe kompozitorëve Alfons Balliçi, Agim Prodani, Flamur Shehu, Kujtim Laro, Luan Zhegu, Aleksandër Peçi dhe autorëve të teksteve të bukura, hartuar nga Jorgo Papingji, Alfred Duka, etj. Në Estradën e Shtetit punoi më se 20 vjet. Ai nuk harron dirigjentin Alqi Kareco. Gjithmonë ndjente dhe ndjen kënaqësi kur këndon përpara publikut. Për veprimtarinë e gjatë artistike gjithë artdashësit anembanë vendit dhe në veçanti ata beratas, e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë me shumë mirënjohje.