Vera e vitit të kaluar rezultoi tepër e suksesshme për Nora Istrefin, kënga e sa cilës “Sa t’kam dasht” u shndërrua në një ndër hitet verore. Ndërsa këtë vit, këngëtarja ka lënë pas projektet “solo” dhe ka zgjedhur të vijë me tre bashkëpunime.
Rreth 5 muaj më parë, ajo bashkoi fuqitë me Ermal Fejzullahun për projektin e titulluar “Hije”. Kjo këngë rezultoi tepër e pëlqyer për publikun shqiptar, duke bërë që ajo të ishte pjesë e klasifikimit të “The Top List” për 24 javë rresht. Por kjo javë ka rezultuar fatale për “Hije”, duke mbetur jashtë listës.
Pavarësisht kësaj, Nora Istrefi nuk mbetet totalisht jashtë “Top Awards” pasi bashkëpunimi i saj më i ri me Gjikon, i publikuar vetëm një javë më parë, është futur menjëherë në “The Top List”.
Falë sugjerimeve të shumta të publikut, kënga e dyshes e titulluar “Gabime” për këtë javë mban vendin e 20-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për listën e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Rreth dy javë më parë Nora solli gjithashtu edhe një tjetër bashkëpunim me bashkëshortin e saj, Robertin, të titulluar “Ska Inat”.