Arnon, emri i vërtetë i të cilit është Mario Hysneli, është një student 19-vjeçar i cili jeton në Tiranë. Pavarësisht se studion për Inxhineri Informatike, muzika është një pasion për Arnon, i cili preferon të kompozojë muzikë elektronike eksperimentale duke përfshirë zhanre të ndryshme si “Tropical House”, “Deep” dhe “Progressive”.
“4U” është projekti i parë muzikor i 19-vjeçarit pas disa projekteve “remix” të bëra më parë. Arnon është munduar të sjellë një “sound” inovativ në këtë projekt, i cili sipas tij, mungon në vendin tonë. Pasi kishte përgatitur instrumentalin, ai ishte në kërkim të një vokali të veçantë në mënyrë që t’i përshtatej idesë që ai kishte.
Kështu që përmes një mikeshës së tij, ai u njoh me Jonisën. Jonisa është një nxënëse 17-vjeçare, e cila studion në gjimnazin “Qemal Stafa”. Jonisa, e cila është gjithashtu një nga finalistet e “Tirana Art Festival”, ka një zë mjaft premtues, i cili është një element kyç në projektin muzikor “4u”.
Arnon ka shpjeguar për “Top Awards” se kjo këngë nisi si një eksperiment pasi është punuar vetëm nga laptopi i tij personal dhe sipas tij kjo gjë mund ta identifikojë atë si një “bedroom producer”, i cili aspiron shumë në të ardhmen. Arnon ka treguar gjithashtu se është duke punuar për projekte të reja muzikore, të cilat shpreson t’i prezantojë së shpejti.
“4U” ka dalë në treg në muajin nëntor dhe ka mundur të bëhet pjesë e “The Top List” këtë javë, duke u pozicionuar në vendin e 50-të.