Vanesa Sono është një prurje e re në tregun muzikor shqiptar, e cila ka një botë krijuese mjaft magjike, duke sjellë projekte të ngjashme me ato ndërkombëtare. Së fundmi, ajo ka lançuar “Aroma jonë”, këngë që e ka përfaqësuar atë edhe në Festivalin e Këngës të këtij viti.

Edhe pse nuk arriti të fitonte, ajo ka fituar një publik mjaft të gjerë, që janë duke përkrahur rrugëtimin e saj. Le të njihemi pak më shumë me këtë artiste që i bashkohet së fundmi Top Awards.

Vanesa Sono, e rritur në Sarandë e tashmë rezidente në Londër, vazhdon studimet e larta në muzikë në shkollën “ICMP”. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj artistik me pjesëmarrjen në “Gjeniun e Vogel 6” ku u shpall fituese.

Vanesa ka qenë përfaqësuese e Shqipërisë në IFLC USA në moshën 15 vjeçare, dhe IFLC Australia një vit më vonë. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e grupeve pop/ indie në Angli. Vanesa ka qenë e ftuar në televizionin BBC për prezantimin e këngës “Slay me”.

Në vitin 2022 ajo bëhet pjesëmarrëse në ”Kënga Magjike” me projektin ”Do të gjej”. Menjëherë pas kësaj eksperience, Vanesa konkurron në Festivalin e Këngës 61 me “Aroma jonë” e cila tashmë është sjellë dhe me një videoklip.