Së fundmi në tregun muzikor shqiptar janë shtuar së tepëri reperet femra, të cilat po shpërthejnë me muzikën e tyre, këngët e të cilave po shndërrohet në më të pëlqyerat e momentit.
Melinda është një nga hyrjet më të reja të “The Top List”, e cila është pozicionuar menjëherë në vendin e 4-t, falë sugjerimeve të shumta nga ana e fansave. “Palo” titullohet kënga e reperes, e cila përflitet se është një “diss” për reperet e tjera.
Po kush është Melinda?
Melinda Ademi, e cila prej vitesh jeton në SHBA, është bërë fillimisht e njohur në fushën e muzikës falë pjesëmarrëjes së saj në talent-show amerikan, “American Idol”. Përveçse për zërin e saj të veçantë, Melinda tërhoqi vëmendjen në këtë spektakël për shkak të historisë së saj të dhimbshme, kur familja vendosit të shpërngulej nga Kosova.
Kënga e saj debutuese ka qënë “Purr”, publikuar në vitin 2015.
Pavarësisht se muzika e saj po ecte me ritme mjaft të mira në Amerikë, këngëtarja ka vendosur të rikthehet në tregun muzikor shqiptar pasi siç ajo është shprehur në një intervistë, e ndjen këtë muzikë më shumë se çdo gjë tjetër. “Lulija” është projekti që shënon rikthimin e këngëtares në muzikën shqiptare, i cili është një bashkëpunim me Seven Saraqi.
Ndërsa “Palo”, e cila është kënga e dytë për Melindën në tregun muzikor shqiptar, ka korrur një super sukses edhe pse ka vetëm një javë që është publikuar.