John Tilio është një tjetër talent i ri në tregun muzikor shqiptar, i cili sapo ka publikuar projektin e tij të ri muzikor dhe menjëherë është bërë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
22-vjeçari, i cili muzikën e ka patur pasion që në moshën 12-vjeçare, studion për Shkenca Kompjuterike, një profil krejtësisht ndryshe nga pasioni i tij.
Pavarësisht se ka zgjedhur të studiojë për këtë profil, John dëshiron që muzika të mos jetë vetëm një pasion por një profesion në të ardhmen.
“Aktore” titullohet projekti i tij më i ri muzikor, i cili në fakt është i dyti profesional. Debutimi i tij i parë në muzikë ka qënë një bashkëpunim me Vinsmoker, “Prek cdo limit”, publikuar shtatorin e vitit të kaluar.
Sa i përket “Aktore”, John ka bashkëpunuar me “Fourinfinit”, i cili ka punuar këtë këngë në mënyrë profesionale ndërsa muzika është punuar nga “Don Production”, Gramoz Kozeli dhe Robert Frroku.
Ndërkohë që ka kaluar një kohë e gjatë nga projekti i tij i parë muzikor, John tregon për “Top Awards” se vendosi të vinte me një projekt muzikor i cili i përshtatej stinës së verës dhe të bënte diçka të veçantë.
Në fakt mund të themi që kjo këngë është tepër e veçantë pasi që në javën e parë të publikimit, ajo është bërë pjesë e “The Top List”, duke zënë vendin e 90-të.
John ka premtuar gjithashtu për “Top Awards” se shumë projekte të tjera muzikore do të vijnë në vijim dhe nuk do të jenë vetëm “solo” por edhe bashkëpunime.