Mund të jetë një talent i ri në tregun muzikor, por Silvester Hida, i njohur me emrin e artit Sylvester ka rreth 15 vjet që punon si Dj. Djali nga qyteti i Elbasanit, i cili prej një viti e gjysmë jeton në Itali, Firenze, ka studiuar për Finance-Kontabilitet, një degë që nuk ka aspak lidhje me fushën e artit.
Edhe pse prej dy muajsh Sylvester është zhvendosur në Shqipëri për të punuar si Deejay në klube të ndryshme, në Itali ai prej vitesh kryen këtë profesion në klubet më të mira të Firenzes. Ndërkohë që është teper i talentuar në punën si Deejay, Sylvester prej 5 vitesh punon edhe si producent, duke bashkëpunuar me dy miqtë e tij Elio dhe Erion, këngët e të cilëve janë luajtur në “Tomorrowland Brasil” si edhe nga Deejay-t shqiptarë. Disa prej këngëve të tyre më të famshme janë “Someday”, “Into You”, “Ipanema” etj.
Edhe pse më përpara ka luajtur zhanre të ndryshme muzikore, Sylvester në projektin e tij më të ri muzikor, të titulluar “Zemren Nale” ka ardhur në stilin muzikor “Tropical-pop”, një tendencë e re muzikore, i cili është frymëzuar nga muzika e Kygo.
Projektin e tij më të ri muzikor, Sylvester e ka sjellë përmes vokalit të Jessy, një këngëtar, i cili edhe pse nuk është shumë i njohur për publikun, Dj premton se shumë shpejt ai do të shpërthejë për shkak të zërit të tij.
Sa i përket klipit, ai është xhiruar në Itali, në Cinque Terre dhe artisti tregon se për këtë video muzikore ka shpenzuar shumë pak buxhet pasi është ndihmuar nga miqtë e tij.
Sylvester ka arritur të bëhet pjesë e klasifikimit të “The Top List” që në javën e parë të publikimit, falë sugjerimeve të shumta nga ana e fansave, ku për këtë javë mban vendin e 93-të.
I pyetur nga “Top Awards” se si ndihet që është pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, Sylvester ka thënë:
“Jam shumë i lumtur që kënga është bërë pjesë e listës që në javën e parë. Kjo do të thotë që paska njerëz që vlerësojnë një material të mirë dhe cilësor, ku brenda ka nota, harmoni, vokal të bukur dhe një klip të thjeshtë që përcjell një histori”.
Sylvester ka shtuar shtuar gjithashtu se kënga është pritur shumë mirë nga ana e publikut pasi kur ai e luante nëpër klube të ndryshme, njerëzit hapnin “Shazamin” dhe kërkonin kush është autori.