I ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë artisti i mirënjohur Pirro Çako, i cili foli më shumë rreth karrierës së tij muzikore ndër vite dhe rikthimin me projektin titulluar “Shpirt”.
Si e përshkruan Pirro këtë moment në jetën e tij profesionale?
Pas katër vitesh kisha vetëm bashkëpunimin, nuk është se kam patur një karrierë këto vitet e fundit si kantautor. Më tepër kam qenë si kompozitor. Janë të lidhura gjërat. Artisti kur është në boom-in e tij, domethënë kur merr pjesë në koncerte, prodhon e fitimet i hedh prap. Kjo është edhe pjesa e suksesit. Ndërsa unë e kisha mbyllur. Nuk dal më nëpër koncerte. Kështu që, automatikisht nuk mundesh të hedhësh lekë. Ka gati 8 vite që unë e kam mbyllur, sepse kështu e kam menduar unë dhe mendoj që e kam menduar mirë. Ishte viti 2014 dhe thashë “stop, nuk do të dal më”. Dhe bëra muzikë si kompozitor. Ashtu siç e kisha nisur karrierën time.
A e ka menduar Pirro Çako që të krijojë një koncert të tijin?
Unë e kam menduar dhe e kam thënë në këtë studio kur kam qenë i ftuar para disa ditësh që unë nuk i them punës “jo”. Por nuk jam as menaxher, jam thjesht kompozitor. Dhe në fazën që jam unë, është pak e vështirë që një menaxher ta marrë përsipër, sepse unë kam dalë nga logjika e koncerteve dhe nuk mund të marrë sponsora pasi ka të tjerë më atraktivë. Kjo është e vërteta. Duhet që të jem realist për disa gjëra. Unë vazhdoj bëj muzikë të bukur.
Siç edhe artisti e lartpërmendi, ai vazhdon e bën muzikë si kantautor. Por përse nuk zgjedh që të krijojë projekte edhe për projektet e tij muzikore?
Ato kanë qenë frutet e bashkëpunimit, sepse unë zakonisht kur bashkëpunoj ngushtë me artistë konfiguroj dhe jam shumë i hapur. Një bashkëpunim i tillë jep rezultat tjetër. Konfigurimi është i suksesshëm. Për veten time nuk mund t’i lançoja ato këngë dhe të isha i suksesshëm. Është e pamundur.