Një tjetër javë befasuese plot hyrje të reja! Edhe këtë herë, kemi një numër të konsiderueshëm projektesh të reja të publikuara nga artistët tanë.
Gjatë këtyre javëve, janë publikuar dhjetëra këngë të reja nga emra të njohur dhe artistë të rinj, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe festive për adhuruesit e muzikës. E në fakt, muaji qershor i këtij viti është shndërruar në një nga periudhat më të pasura muzikore për artistët shqiptarë.
Kjo javë ka sjellë me vete 11 këngë të reja. 2Ton dhe Blero sjellin nga një këngë secili nga albumet e tyre, respektivisht “Aura” dhe “Dashni me brina”.
Pas suksesit të bashkëpunimit të parë, “Shumë pis”, Ledri Vula dhe Era Istrefi provojnë sërish me “T’lo”. Eko nga ana tjetër bashkon këtë herë forcat me Butën për të sjellë “Chanel”. Ndër bashkëpunime të tjera surprizuese, kemi dhe Marin me Cricket me “Pash dy syt”, si dhe Diona Fona dhe Mc Kresha me “Paso”.
Ronela Hajati vjen me një këngë më të ndjerë në formën e një balade dashurie, që mban titullin “Hana”. Bleona, me gjithë guximin dhe veçantinë që e karakterizon, vjen sërish në listë me “Ride It”, projektin më të ri.
E duke qëndruar tek tregu ndërkombëtar, Arilena Ara hedh një hap tjetër në karrierën e saj me “Weightless”. Kejsi Tola po prezanton javë pas jave këngët e albumit të saj të ri “Frymë”. Listës së kësaj jave i bashkohet “T’kam harru”. Rea Nuhu është një nga artistet që i bashkohet së fundi Top Awards. Kënga e saj debutuese në listë mban titullin “Harroje” dhe ka rezultuar një sukses.