Nga “Big Brother VIP 5”, në Top Awards. Pas Kristi Lamaj, që iu bashkua së fundmi Top Awards, një tjetër banore e “Big Brother VIP 5” vjen në klasifikimin e javës në “The Top List”.

Po flasim për Juelën, e cila debuton në listë këtë javë me “Hija”. Juela është aktualisht duke përjetuar eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.

“Hija”, një projekt që shpalos një anë shumë emocionale dhe reflektuese të artistes. Kjo është një këngë që flet për ndjenjat e pathëna, për gjurmët që lënë njerëzit dhe situatat në jetën tonë, edhe kur nuk janë më të pranishëm.

Zëri i Juelës mbart ndjeshmëri, ndërsa interpretimi i saj e bën këngën lehtësisht të lidhshme për këdo që ka kaluar momente të ngjashm që Juela i rrëfen në këngë. “Hija” nuk është thjesht një këngë e re në repertorin e saj, por një deklaratë artistike në një moment kyç të karrierës dhe jetës së Juelës. Mes dritave të “Big Brother VIP Albania 5” dhe ngarkesës emocionale që përçon kënga, ajo po ndërton një identitet gjithnjë e më të fortë në skenën muzikore shqiptare.