Së fundmi në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike këngëtari i njohur Mentor Haziri për të na folur rreth këngës së tij më të re të titulluar “Lament for Ukraine”. Si lindi ky projekt?
Bisedova me producentin nga Irlanda, para disa vitesh xhiruam një videoklip, u njoftua me situatën e luftës tonë në Kosovë, ishte i prekur dhe kur ndodhi lufta në Ukrainë ma propozoi këtë këngën. E gjitha ka lindur nga dëshira për t’u solidarizuar me refugjatët atje dhe ka dalë një këngë shumë e bukur dhe realisht jam i lumtur për këtë. Lufta është një ferr i vërtetë. Unë personalisht kam qenë viktimë e një agresioni të paparë ndaj civilëve, na kanë zënë në një mal dhe na kanë plaçkitur. Madje na kanë futur në listën për të na vrarë, por fatmirësisht kemi jetuar. Në Ukrainë përmasat e luftës janë më të mëdha sepse po bëhet një luftë frontale nëpër qytete, popullsia është nëpër bodrume duke u fshehur. Kjo këngë u bë për t’u solidazriaur me viktimat.
Sa e vështirë ishte për Mentorin të realizonte këtë projekt kaq të ndjeshëm?
Ishte e vështirë por e bëm me dashuri sepse e dija që po e bëja për solidarizim dhe për një kazuë për paqen. Në videoklip është një këngëtare e Irlandës që pranoi të ishte pjesë e kësaj këngë, është bërë në Ferizaj në disa vende që kanë mbetur ende të shkatërruar nga lufta, janë përshtatur pamje gjithmonë duke pasur në rol kryeor dy refugjate. Ato ëndërrojnë të luajnë nëpër fusha me diell dhe në fund kthehen në realitet, aty ku janë të bllokuara në një bodrum. Kam dashur ta paraqes këtë realitet të hidhur.
A ka pasur paragjykime për gjuhën e kënduar në këngë?
Më ka bërë përshtypje që Kosova mirëpriti një redaktore të Ukrainës në aeroport, e strehoi. Kur erdhi mori shumë komente negative nga njerëzit që thonin: “kjo është sllave, kjo është ruse”. Më çudit ky paragjykim sepse ne e kemi kaluar vet luftën dhe nuk e kuptoj si mund të humbi empatia ndaj njerëzve. Gjuha e tyre është e ndryshme, është pak e njëjtë por është ndryshe nga gjuha ruse. Nuk më intereson kush më paragjykon, e kam bërë qëllimisht në këtë gjuhë për të treguar ‘brumin’ e kësaj këngë që ka një tekst që flet për luftën.