Alban Skënderaj këtë verë ka qenë një nga emrat më të kërkuar në skenën muzikore, duke performuar në një sërë eventesh brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht agjendës së ngjeshur me koncerte, repertori i tij nuk u pasurua me projekte të reja muzikore gjatë sezonit.
Kjo pritje duket se po merr fund. Në një video të publikuar në Instagram, Albani njoftoi se verën do ta mbyllë me një krijim të ri, që mban titullin “Margaritar”. Kantautori theksoi se kënga ka një mesazh të fortë dhe është një dedikim i veçantë për gratë shqiptare.
Përshëndetje të gjithëve miq,
Po e bëj këtë video për t’ju përshëndetur, këtë duhet ta bëj pak më shpesh, të bëj një video ku thjesht ju përshëndes. Ju jeni gjithmonë aktiv, prezent, të interesuar për gjërat që unë ofroj, kështu që dhe mua më takon të jem pak më aktiv dhe të postoj pak më shumë në përditshmërinë time dhe t’ju fus pak më shumë në procesin e jetës së përditshme, të punës, projekteve të reja. E di që kam bërë mungesa, kjo është pak në natyrën time, por gjithsesi duhet të jem edhe pak më shumë mirënjohës në këtë aspektin e rrjeteve sociale, kështu që nuk duhet vetëm të marr, por edhe t’ju kthej më shumë. Gjithsesi unë fokusin e kam tek muzika, ju e dini, dhe aty mundohem të bëj gjëra të mira dhe të jem sa më shumë aktiv, por duke ruajtur ato ritmet e mia dhe pak cilësi, pse jo. Ishte një verë shumë e bukur, unë kalova shumë mirë këtë verë, ndoshta ishte vera e parë ku unë kam bërë evente dhe kam kërkuar të bëj evente, ku e dija se do gjeja publikun tim. Dhe ashtu ndodhi, ishin momente vërtet të bukura, takova njerëz që më njohin mirë dhe e njohin mirë muzikën time, kështu që dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë prezent në të gjitha qytetet shqiptare. Faleminderit shumë! Gjithsesi vera nuk ka mbaruar, kemi dhe një surprizë të fundit! Unë çdo vit kam nxjerrë të paktën një këngë në verë dhe këtë verë duket sikur iku, por jo. Është një këngë dhe është një nga të preferuarat e mia, një këngë që e dua shumë, sepse është një kombinim shumë i bukur midis energjisë pozitive, festës, por dhe me një mesazh mbrapa dhe diçka ku ne mund të thellohemi, të reflektojmë e të ndihemi pak më mirë, me një tekst i cili për mua është sa zbavitës, aq edhe domethënës. Një këngë që mezi pres ta ndaj me ju dhe që të zgjasë sadopak këtë verën e 2025. Është një këngë që me bekimin e djemve dhe burrave shqiptarë, i dedikohet vajzave dhe grave shqiptare që për janë dhe mbeten gjithmonë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë sonë. Është një festë për to, për t’iu thënë faleminderit, për t’i bërë të ndihen më mirë, për t’i nderuar, për t’i thënë që të ndihen krenare për atë që janë dhe ne gjithashtu jemi shumë krenarë për ju. Kështu që kjo këngë titullohet “Margaritar”, ashtu siç janë vajzat dhe gratë shqiptare. Së shpejti, për shumë pak ditë, do ju mbaj të informuar dhe do ta zbulojmë pak nga pak këtë projekt që me të vërtetë është shumë i bukur, shumë pozitiv, por edhe simbolikisht shumë domethënës! Një përqafim për të gjithë ju!