Fatos Shabani ishte i ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Anthony Prifti në Top Albania Radio nëpërmjet lidhjes me telefon, ku ndau rrugëtimin e tij të pasur dhe të veçantë në industrinë muzikore. Ai tregoi se, përkundër sfondit të studimeve në arkitekturë në Prishtinë, pasioni për muzikën e ka shoqëruar që në fëmijëri.

Në vitin 2015, ai themeloi grupin Bystandr, me të cilin ka qenë aktiv në skenën rock të Kosovës dhe Shqipërisë. Në karrierën e tij solo, Fatos ka publikuar këngën “Dritës”, e renditur ndër hyrjet e reja në “The Top List” në vendin e 50-të. Përveç kësaj, ai është përfshirë në “Festivali i Këngës” në RTSH, me këngën “Ty”, duke konsoliduar pozicionin si artist i vlerësuar. Aktualisht është i vendosur në Suedi, ku po finalizon bashkëpunime me artistë vendas, ndërkohë që ka në plan publikime të reja.

Si e ndërthur Fatosi dëshirën për të bërë muzikë me profesionin e tij si arkitet?

Muzika në jetën time është shumë me rëndësi. Unë në profesion, për ata që nuk e dinë, jam arkitekt dhe jam shumë aktiv, punoj edhe në Kosovë. Muzikën e bëj për qejf, mirëpo shumë është pjesë e pandashme e jetës sime. Domethënë është shumë e nevojshme që unë të bëj muzikë. Është shumë me rëndësi.

Si është momentalisht grupi Bystandr, duke qenë se disa anëtarë janë larguar?

Në fillim kemi qenë katër. Unë, Kushtrimi, Bimi dhe Luani, mirëpo Bimi dhe Luani emigruan para nesh. Mbeta vetëm unë dhe Kushtrimi dhe e kemi vazhduar.

Siç edhe e lartpërmendëm, Fatosi është arkitekt, ndërsa Kushtrimi është zjarrfikës. Si e balancojnë ata jetën e përditshme me atë artistike?

Arkitektura dhe muzika janë goxha afër. Të dyja janë profesione krijuese. Unë për vete gjej një ngjashmëri shumë të madhe midis arkitekturës dhe muzikës, madje ka njerëz që thonë ‘arkitektura është muzikë e ngrirë’ në një farë forme. Ashtu e shoh edhe unë.

Po përsa i përket largësisë së tyre, duke qenë se Fatosi jeton në Suedi dhe Kushtrimi në Kosovë, si e realizojnë ata një projekt?

Nuk është e lehtë. Kur kam jetuar më parë në Kosovë ka qenë më e lehtë. Jemi takuar çdo ditë. Kemi bërë muzikë më shpesh sesa tani, mirëpo që kur kam emigruar në Suedi është pak më e vështirë, por prapëseprapë jemi gjatë gjithë kohës në kontakt edhe vazhdimisht kur shkruajmë diçka unë ose ai bisedojmë. Funksionon.