Këngëtarja e njohur Besa Kokëdhima ka qënë e ftuar së fundmi në “Goca dhe Gra” ku rrëfeu hapat e ardhshëm të karrierës, albumin e saj më të ri dhe planet e martesës ku tregoi se së shpejti do të shkojë drejt altarit…
“Ring my bell” është kënga e fundit që ti ke nxjerrë për tregun ndërkombëtar, si të është dukur pritja jashtë kufijve?
Ka qenë shumë e mirë, në fakt ka qenë një publik që unë e kam transportuar që nga koha e Eurovizionit, atje ka qenë momenti i parë i zanafillës së kësaj audience. Ka shkuar mirë, sepse pjesën më madhe të këtyre prodhimeve janë kompozitor të huaj që më kanë propozuar mua.
E kishe manifestuar këtë të ardhme?
E kam dëshiruar gjithmonë, por nuk është se kam qenë tmerrësisht e dhënë që do ta arrija me kaq ngulm. Mua më pëlqen të bëj muzikë sepse kam shumë ngjyra brenda vetes, dua të jem e zënë vokalisht, unë dua të bëj shumë gjëra njëkohësisht.
Cilat janë vështirësitë që një këngëtar has në tregun e huaj?
Vështirësia primare mendoj se vjen nga fakti që ne jemi disi të veçuar, nuk jemi pjesë e tregut “global” pra si industri muzikore. Kjo përjashton edhe shumë këngëtarë shqiptarë që kanë arritur shumë suksese të mëdha. Ne nuk kemi eksportues të mirë sepse nuk kemi një industri të mirë. Këtu është një industri “hibride” që do të thotë shumë artistë po luftojnë që të mbijetojnë. Sepse nuk ka më rëndësi kënga por se sa ‘like’ dhe shikime merr dhe prandaj është një problem i madh për shumë artistë.
Unë kam bërë një album në Francë me një shtëpi diskografike franceze dhe e njëjta gjë ishte edhe në bisedimet e tyre, ishte kjo që “sa shikime ka, sa ndjekës ka, sa është në gjendje është që ta mbajë këtë trendin”. Ky është një trend global që ushtron shumë presion dhe jo domosdoshmërisht përkthehet gjithmonë në të ardhura.
Cila është gjëja që të qetëson më shumë pas gjithë kësaj lodhjeje?
Partneri im. Kjo është periudha që ndihem më e dashuruar se kurrë.
Do të presim ndonjë dasëm nga ty së shpejti?
Shpresoj se po, tani së shpejti.
Ke filluar me përgatitjet e dasmës?
Kemi filluar të shohim, janë këto emocionet e para, fustanet, dekori, shumë gjëra që jemi duke i parë avash-avash.
Dasma do të bëhet në Francë apo në Shqipëri?
Dasmën do ta bëjmë në Shqipëri.