Azra, një prej artisteve më premtuese dhe të pëlqyera nga publiku shqiptar, ka bërë një rikthim në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare pas një periudhe të gjatë mungese. Ajo ka publikuar këngën e saj më të re të titulluar “Mos u nal”, të cilën votimet e publikut e bënë që të hynte menjëherë në “The Top List”. Së fundmi, Azra ka qenë e ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ku ka folur më gjatë mbi këtë projekt në veçanti dhe deri tek hapat e saj të ardhshëm në projektet në vijim.
Sa vite ke që merresh me muzikë dhe a mendon se po jep më të mirën tënde?
Muzikën e kam pasur pasion që prej moshës 4-vjeçare, ku performancat e para i kam bërë para familjarëve, shoqërisë, në orgamizimet e shkollës. Për sa i përket pyetjes që a po jap më të mirën time, mund të them që akoma. Kam rrugë të gjatë përpara për të shfaqur veten, të ekperimentoj dhe të gjej veten se ku qendroj unë më mirë.
Ku e projekton veten si artiste? A të pëlqen Shqipëria si treg muzikor?
Po, patjetër që po. Tregu shqiptar më pëlqen shumë, sepse kemi shumë artistë të mirë në industrinë tonë, kemi producentë shumë të mirë, ku mundemi të sjellim ‘vibe’-in dhe energjinë shqiptare në muzikë, si në melodi, ashtu edhe në tematika të këngëve. Veten si artiste e shoh në tregun shqiptar dhe pse jo në atë internacional, sepse mendoj që kam shumë për të dhënë në industrinë tonë, edhe pse është vetëm fillimi. Synimi kryesor është që të punoj në projekte të mira dhe të sjell këngë sa më cilësore për njerëzit që besojnë tek unë dhe në muzikën time.
Cila është rryma në të cilën e ndjen veten më të sigurtë?
Nuk do të dëshiroja që të përkufizohesha si artiste e vetëm një zhanri, sepse kam shumë dëshirë të eksperimentoj në zhanre të ndryshme. Fundja kjo të bën artiste dhe unike.
Çfarë mund të na thuash për projektin tënd të fundit “Mos u nal”?
Projekti im i fundit “Mos u nal” është projekti im i preferuar deri tani, sepse tematika e këngës është për femrat e forta. Kënga “Mos u nal”, ndryshe nga dy projektet e tjera që kam sjellë, është këngë verore, ritmike dhe ndryshe nga çfarë kam sjellë deri më tani.
Çfarë presim nga Azra në vijim?
Prej Azrës mund të prisni shumë projekte të reja me zhanre të ndryshme, por mbi të gjitha projekte dhe këngë cilësore.
“Mos u nal” ka 7 javë si pjesë e klasifikimit të “The Top List” dhe renditet në vend të 61-të, 15 vende më lart nga java e kaluar.