Sonia Vokopola ishte e ftuara speciale në emisionin “Lancio” me Erma Micin në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit rrëfimin e sinqertë dhe të thelluar për rrugëtimin e saj në industrinë muzikore. Gjatë bisedës, ajo foli për hapat e parë që ka hedhur në muzikë, frymëzimet që e kanë udhëhequr dhe sfidat me të cilat është përballur si një artiste që kërkon të mbajë identitetin artistik të paprekur në një treg shpeshherë komercial. Sonia theksoi rëndësinë e autenticitetit dhe dëshirën e saj për të krijuar muzikë që flet me ndjenjë dhe që arrin të prekë publikun.

Në përmbledhje të karrierës së saj, Sonia Vokopola është një artiste me zë unik dhe prani skenike të veçantë, e njohur për baladat e ndjera dhe stilin e saj emocional. Ajo ka eksperimentuar me disa zhanre muzikore, por gjithmonë ka ruajtur një linjë të qartë të identitetit të saj artistik, që përfaqëson një ndërthurje të ndjeshmërisë personale me mesazhe të forta. Me këngë që shpesh prekin tema si dashuria, forca e brendshme dhe vetëreflektimi, Sonia ka krijuar një lidhje të veçantë me publikun shqiptar dhe është shndërruar në një zë që nuk ndjek thjesht tendencat, por i jep atyre shpirt dhe kuptim.

Edhe pse ka studiuar për Graphic Design, pasioni i saj më i madh dhe ëndrra që arriti ta nxjerrë nga sirtari është muzika. Duke ushqyer dhe zhvilluar artin brenda saj, ka mundur të kompozojë, të shkruajë tekste që e kanë kthyer emocionin në diçka të prekshme. Dhe pse në fillimet e saj, Sonia është e lumtur të ndajë me publikun një pjesë të zemrës së saj. Për të do të jetë gjithmonë i rëndësishëm mesazhi që zgjedh të perçojë nëpërmjet këngës. Sonia është e lumtur që ka eksploruar pjesën e saj kreative dhe të shprehë botën e saj të brendshme. Siç dhe ajo thotë, ndihet e privilegjuar dhe me fat që e ka nisur rrugëtimin e saj me dikë që ndan të njëjtat vlera dhe pasion për muzikën. Kënga e saj e parë “Ti je”, erdhi si bashkëpunim me kompozitorin e njohur Kledi Bahiti. Arti i muzikës për të ka qenë një rrugë zbulimi i vetvetes. Së fundmi, ajo është bërë pjesë e “The Top List” me këngën e saj të re, titulluar “Prita”. Çfarë ndjesie ka ajo për këtë rrugëtim në karrierën e saj?

Nuk ta them dot një ndjesi. Është një miks ndjesish shumë të ndryshme. Deri diku edhe pabesi. Kur kam nisur nuk kam pritur asgjë. Ka qenë një rrugë që kam thënë do zbuloj çdo gjë rrugës dhe po më vijnë ca gjëra që them ‘si po vijnë?’. Është realisht shumë e çuditshme ndonjëherë, por unë vërtet e vlerësoj. Nuk më mbetet gjë tjetër veç se të them që e vlerësoj që vlerësohet ajo që unë bëj.