E ftuar së fundmi në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë Anxhela Peristeri. Këngëtarja e njohur ka publikuar këngën e saj më të re “Adrenalina”, e cila në njëfarë mënyre është edhe çelja e duhur e sezonit veror dhe është një krijim me motive ballkanike.

Bukuroshja pëlqehet gjithashtu dhe për baladat e saj, por pse zgjodhi të sillte një projekt më ritmik dhe për më tepër me dialekt kosovar që nuk jemi mësuar ta dëgjojmë këngëtaren?

Këngët me ritëm më ecin gjithmonë, baladat dhe gjërat artistike qëndrojnë më në hije. Vera do pak më shumë adrenalinë. Faktikisht nuk është totalisht, në dialektin e Kosovës ka disa fraza, shkurtimet e fjalëve i rrijnë më mirë këngës. Dua që dhe populli kosovar ta gjejë veten sepse kënga është dhe për Tiranën dhe për Prishtinën.

Anxhela na tregoi për koncertet e kësaj vere pasi dihet se është një periudhë shumë e ngjeshur për artistët dhe sa rëndësi i kushton klikimeve të cilat janë bërë kaq të rëndësishme tanimë për ta.

Dua të sjell gjëra të reja që të ndjej veten sikur po bëj dicka. Unë mundohem mos të bëhem robot dhe të këndoj përditë, zgjedh ato që janë më të mira dhe cilësore. Ka një periudhë në fund korriku që është dy herë në ditë me koncerte. Janë këngëtarë që janë këngëtarë klikimesh, ka dhe që nuk janë këngëtarë klikimesh. Ata që më dëgjojnë mua janë mbi 25 vjeç dhe ata s’do rrijnë të më klikojnë mua. Të tjerët kanë një audiencë më të vogël në moshë e i klikojnë më shumë.

Bukuroshja gjithashtu nuk ngurroi të na tregojë dhe për jetën e saj private dhe planet e së ardhmes për sa i përket projekteve të reja muzikore.

Planet në jetën personale i kam mbyllur për momentin, nëse do kem të reja do jenë të dukshme. Për verën besoj që nuk do ketë këngë tjetër. Nga shtatori dhe andej do ketë projekte të reja.