E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë një artiste shumë e talentuar e tregut tonë muzikor, Olimpia Smajlaj. Ajo ka folur më shumë për kengën e saj të fundit “No goodbyes” dhe mesazhin shumë të veçantë që ajo përcjell…
Si erdhi ideja e këtij klipi kaq të veçantë të animuar?
Më pëlqejnë shumë videoklipet e animuara. Doja të gjeja momentin e duhur që ta nxirrja, ishte këngë shumë e dashur për mua dhe nuk e gjeta me vend t’i bëja një klip. Doja më shumë të vendosja tre imazhe që më përfaqësojnë mua, shoqen e ngushtë dhe motrën time. Ishte mënyra më e mirë për të përfaqësuar ndjesitë e mia me animim. Vetë kënga flet për ato që janë larguar jashtë shtetit dhe nga largësia krijohen disa boshllëqe në komunikim apo marrëdhënie dhe që shpeshherë nuk fliten. Ky është mesazhi im, që nuk duhet të lejosh largësinë që të hyjë në mes njerëzve. Kur kthen kokën pas, kupton sa shumë të mungojnë këto persona në jetën tënde. Nëpërmjet klipit doja të krijoja një imazh surreal, vetëm tre persona që po ta shihni në sfond është kalaja e Shkodrës, në vendlindjen tonë. Aty jemi ne të treja buzë një makine që jemi në shoqërinë e njëra-tjetrës pa thënë asgjë, por thjesht duke shijuar qetësinë.
Je duke punuar me ndonjë projekt të ri momentalisht?
Gjithmonë jam duke u marrë me diçka. Edhe tani po merrem konkretisht me diçka sa i përket muzikës. Albumi është një dëshirë shumë e madhe, por mbase vitin që vjen sepse do shumë angazhim. Më parë mund të vijë një EP se sa një album.
A ka ndonjë rrymë muzikore që nuk do të provoje?
Ka shumë. Përshembull turbo folk, tallava… as reggaeton nuk do bëja kam përshtypjen. Hip hop mund të bëja nëse do ishte një miksim rrymash brenda këngës.
Ke një këngë tënden që e ke më shumë përzemër?
Unë e shoh nga ana profesionale dhe e arritjes dhe do të thoja se është “Dy buzë” versioni jazz. Është feminile, joshëse, ka lojë brenda dhe është jazz e swing. Është kaq e kompletuar dhe më duket shumë e arrirë. Jam shumë krenare për të, nuk gjej asgjë që dua të përmirësoj tek ajo.