I ftuar special në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio ka qenë Noizy. Gjatë intervistës, ai ka folur për projektet e tij më të fundit muzikore, jetën personale dhe rrugëtimin e gjatë në skenën shqiptare. Me stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe energjinë karakteristike, Noizy ka ndarë edhe momente të veçanta nga karriera, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe planet që ka për të ardhmen.

Kohët e fundit, ai ka realizuar edhe “Troubleshooters”, një film aksion, i cili pati një sukses ndërkombëtar. A ka filluar që aktrimi të jetë profesioni i tij i preferuar?

Me thënë të drejtën, ëndrra ime e parë përpara se të bëhesha muzikant, ka qenë se e mendoja një ëndërr të parealizueshme, thjesht se kanë qenë ato gjërat që nuk dije çfarë të mendoje përpara gjumit dhe mendoje veten si aktor. Kur të kthehem në Shqipëri do bëhem aktor dhe do jem më i miri.

Gjithmonë me mendimin ‘kur të kthehem në Shqipëri’, Noizy u shpreh se gjithmonë e ka ëndërruar ta zhvillojë karrierën e tij në atdhe.

Kur të kthehem në Shqipëri. Asnjëherë nuk e kam pasur në mendje të jetoja diku. Aq shumë më pati vrarë ai fakti, që thashë shparë që ma vodhën fëmijërinë, dhe përherë unë isha ai fëmija me peng në zemër. E thoja kur të kthehem në Shqipëri ‘do bëj këtë, do bëj këtë,do bëj atë’. Ishte aktrimi, por muzika ishte degë e artit.

A ka për të ndodhur ndonjëherë që aktrimin ta ketë përpara muzikës?

Nëse unë do vendos që mos ndalem, të rri larg ekranve, besoj ajo do ndodhi.

Noizy zbuloi se së shpejti do të realizojë një film të ri titulluar “The Blood Money” të zhanrit dramë dhe aksion.

Skenaristi është shqiptaro-gjerman. Është Enkelejdi, është super talent për dramat. Filmat e tij kanë arritur super sukses në Gjermani. Është dramë dhe aksion, por nuk ka armë. Ka më shumë boks. Historia e dikujt që u bë ‘street fighter’ që jam unë. Nis filmi dhe unë jam në burg. Kuptohet që në burg nuk jam për fajin tim. Historia ime bëhet automatikisht se unë kam qenë ‘street fighter’ në Angli. Kam qenë pjesë e kësaj jete, por nuk është plotësisht historia e jetës sime.

I pyetur nëse e konsideron veten artistin më të mirë shqiptar, si këngëtar, reper, kompozitor apo edhe aktor, ai zgjodhi të mos e fokusojë përgjigjen te egoja apo krahasimet, por te një element kyç, disiplina.

“Nuk është që unë jam më i talentuari. Thjesht kam më shumë disiplinë se të gjithë,” – u shpreh Noizy me sinqeritet. Ai shtoi me tej se ndonjëherë i mungon motivimi, por forca për të vazhduar vjen nga rutina, përkushtimi dhe energjia që investon çdo ditë.

“Një artist i talentuar mund të bëjë një këngë të mirë në një ditë. Unë mund të bëj tri, sepse kam disiplinë, forcë fizike dhe punoj më shumë se të tjerët,” – tha ai, duke theksuar rëndësinë e punës së palodhur përtej talentit të lindur.