Livia Qazimi është një nga këngëtaret më të reja të tregut muzikor shqiptar. Ajo ka publikuar së fundmi projektin e saj më të ri, “Atë Zemër”, që ka hyrë javën e kaluar në klasifikimin e “The Top List”, në Top Awards. Përveç pasionit për muzikën, Livia vazhdon dhe studimet për Menaxhim Biznesi në Londër. Po se si janë të lidhur këto dy aspekte tek ajo, Livia ka zbuluar më tepër e ftuar në studion e “Wake Up”.

Si është raporti mes muzikës dhe studimeve për menaxhim biznesi?

Janë pjesë e pandashme nga unë. Muzika sa vjen e rritet tek unë, kurse biznesi është një zgjedhje e imja për t’u zhvilluar më shumë nga ana profesionale. Kam 2-3 vjet që po studioj jashtë. Ka qenë një eksperiencë e bukur, duke qenë se dhe motra ime ka studiuar aty më ka ndihmuar. Prindërit e mi e kanë provuar si eksperiencë me motrën time, me mua kanë qenë më të përgatitur dhe nuk e kanë përjetuar aq keq. Është eksperiencë e bukur, rritesh si njeri, fiton pavarësinë tënde. Por e ndjen mungesën e familjes.

Si lindi kënga “Atë Zemër”?

Kompozitori i këngës është Kledi Bahiti. Duke qenë se baladat më kanë pëlqyer gjithmonë, e doja një këngë të tillë. Kur shkova te Kledi i thashë që dua të ma bësh ti një baladë. Tekstin e ka shkruar Rozana Radi. Dua t’i falënderoj për profesionalizmin dhe ndjenjën e tyre njerëzore. Janë njerëz shumë pozitivë dhe mirëpritës dhe e kanë bërë më të lehtë punën. Ma dhanë ata mua një shkëndijë.

Ka pasur ndonjë moment të vështirë gjatë xhirimit të klipit?

Ka qenë eksperiencë e bukur. Kjo pjesa e vaskës ka qenë pak e vështirë sepse ka qenë shumë ftohtë. Por kam marrë shumë kënaqësi dhe kjo e ka balancuar.