Ledri Vula ka rikthyer sërish energjinë e tij karakteristike me publikimin e këngës më të re “6ex AM”, një projekt që po pritet me entuziazëm nga fansat dhe publiku i gjerë. Projekti ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List” duke rrëmbyer menjëherë kreun.
Kënga vjen me një vijë melodike të qetë, por sigurisht nuk mungon reptura karakteristike e Ledrit që e dallon në çdo projekt. Ashtu siç pritej nga Ledri, edhe klipi vjen me shumë stil, kreativitet dhe atmosferë elektrizuese, duke reflektuar energjinë dhe identitetin e tij artistik.
Në pjesën e produksionit muzikor kanë kontribuar emra të njohur të industrisë si Lirian Kaçi (Lurromusic) dhe Adion Puka (adionthebeat), ndërsa masteringu është realizuar nga Eros Lila. Një detaj i veçantë në këngë janë edhe vokalet prapavijë të interpretuara nga artistja Diona Fona, të cilat i japin projektit një ndjesi dinamike dhe harmonike.
Duket se reperi ka sjellë edhe këtë herë një balancë perfekte mes melankolisë dhe ritmit urban, duke dëshmuar se di gjithmonë si ta mbajë publikun të lidhur pas muzikës së tij. Me energjinë dhe stilin e tij unik, “6ex AM” pritet të bëhet një ndër këngët që do të dëgjohet pa pushim nga fansat.
 
         
                                                     
                                                     
                                                     
                                                     
                                                     
                         
                         
                         
                         
                        