Ah, sa na kishte marrë malli… E për kë tjetër mund ta kishim përveç se për Art Abazin!

Së fundmi këngëtari ka publikuar projektin e tij më të ri me titullin “Jeta”. Ky projekt është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List” këtë javë dhe na kujtoi edhe njëherë se sa nevojë kishim për një këngë të tillë nga një artist si vetë Arti.

Thënë ndryshe, Art Abazi ka sjellë një tjetër nga perlat e tij, por këtë herë dozat e melankolisë janë edhe më të dukshme, që bën që “Jeta” të depërtojë edhe më thellë brenda nesh… Si gjithmonë ai nuk na ka zhgënjyer me prurjet e tij, ku sigurohet që të sjellë muzikë të bukur, të thjeshtë dhe plot dashuri. 

Në fakt, Arti u pëlqye shumë nga publiku me dy këngët e tij që u bënë pjesë e “The Top List”, si “Ndoshta ke harruar emrin tim” dhe “S’më doje”. Projekti i tij i fundit ishte “N’buzët e saj” e publikuar gjatë fillimit të kësaj vere.

Duke u nisur nga lajmet e fundit për Art Abazin lidhur me jetën e tij personale, ku prej pak muajsh ai konfirmoi se i kishte dhënë fund lidhjes me partneren e tij, “Jeta” të bën ta shohësh në një tjetër këndvështrim. A mund të jetë ky projekt një dedikim vallë?

Sidoqoftë ajo që duhet pasur në vëmendje është vetë muzika, që artisti di ta bëjë më së miri. Një thirrje nga publiku dhe të gjithë fansat e Artit: Mezi presim për projektet e tjera në vijim!