Për 467 javë kemi ndjekur 100 këngët më të mira moderne shqiptare, hitet më të fundit dhe artistët më në zë. Prej kaq javësh “Top Awards”, përmes “The Top List” ka shpallur klasifikimin e këngëve më të bukura të muzikës shqiptare, ku publiku falë votave të tij tregon se cilat projekte muzikore duhet të jenë pjesë e këtij klasifikimi si edhe pozicionimin e tyre.
Nga java në javë, vihen re ndryshime në renditje si edhe projekte që hyjnë në këtë klasifikim por disa prej tyre kanë mundur t’i rezistojnë për një kohë të gjatë këtij klasifikimi, duke u shndërruar në këngët më jetëgjatë në “The Top List”. Nga ana tjetër, disa këngë kanë arritur që të qëndrojnë në vend të parë për disa javë rresht.
Ndërkohë, Luiz Ejlli duket se ka vendosur një rekord të pakapshëm deri më tani duke mos u ‘tutur’ nga kreu i “The Top List”. Aktualisht, kënga e tij “Më fal” kryeson kreun e listës prej 7 javë radhazi.
Por nuk mbaron me kaq. Luiz Ejlli është në fakt artisti i rekordeve, pasi ai është këngëtari që ka qendruar më shumë në vend të parë gjatë gjithë këtyre javëve, duke lënë pas shumë të tjerë.
Por a do të vazhdojë ta mbajë ai këtë rekord apo do t’ia kalojë dikush në të ardhmen? Kjo mbetet për t’u parë në vazhdim.