Reperi i njohur Ledri Vula është padyshim ndër artistët më të pëlqyer të tregut nga një numër i madh fansash. Ndër vite ai i ka rezistuar skenës, duke qenë gjithmonë “On Top”.
Duket se një karrierë e qëndrueshme për kaq shumë vite është edhe rezultat i menaxhimit të mirë të saj. Ai ka bërë revolucion në industrinë muzikore shqiptare.
Fjala është për Faton Shoshin i cili ndër vite ka pasur në menaxhim emrat më të njohur si Ledri Vula, Era Istrefi, Buta e të tjerë. Për gati 5 vite, Ledri Vula i besoi karrierën e tij menaxherit Faton Shoshi.
Ishte ky i fundit ai që vendoste datat e koncerteve për Ledrin dhe menaxhonte çdo dalje të reperit në intervista. Madje ata të dy kishin dhe një miqësi të fortë me njëri-tjetrin përtej punës që i bashkonte.
Ledri dhe Fatoni i drejtoheshin gjithmonë njëri-tjetrit si “vëlla” edhe në postimet në rrjete sociale e thuajse gjithë kohën e pushimet i kalonin bashkë. Por në vitin 2019-të gjithçka ndryshoi kur ata vendosën të ndanin rrugët me njëri-tjetrin për të mos punuar më bashkë.
Vitet e fundit Fatoni ka bërë një pauzë nga kjo punë, por mesa duket tashmë ka mbushur energjitë për t’u rikthyer përsëri. E tashmë, që prej vjeshtës që lamë pas, dyshja ka nisur sërish bashkëpunimin mes tyre.
Padyshim që Ledri ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme ndër vite, plot me projekte të arrira si dhe koncerte të shumta. Por a ka qenë më i suksesshëm ai me, apo pa Faton Shoshin, kjo mbetet për t’u diskutuar.
Kanë kaluar vetëm pak muaj që kur artisti u mor sërish nën menaxhimin e tij, e le të themi që Ledri ka qenë kryefjalë e mediave dhe jo vetëm për muzikën, por dhe për jetën e tij personale. Përmendim këtu faktin që ishte vetë Fatoni ai që doli me deklaratat se Ledri dhe Sara Hoxha ishin ndarë nga njëri-tjetri, kur dyshja ende nuk ka bërë asnjë reagim publik. Madje fansat dhe shtypi rozë ishin të bindur se kjo ndarje ishte vetëm për arsye marketingu.
Por se si do të jetë në vijim e gjithë çështja e këtij menaxhimi, do të mbetet për t’u parë. Ndërkohë le të shijojmë projektet që Ledri është duke sjellë…