“Dancing with the Stars”, show magjik i kërcimit do të nisë shumë shpejt në Top Channel. Programi më popullor i kërcimit në botë, me patentë të BBC, do të jetë ekskluzivisht në Top Channel, ku pritet të ketë emra mjaft të njohur të showbiz-it.

Ditën e sotme konfirmohet zyrtarisht një tjetër emër. I ftuar në “Wake Up”, këngëtari dhe kantautori i njohur Sardi Strugaj bëri të ditur se ai do të jetë pjesë e kësaj gare të madhe kërcimi.

Si të erdhi ftesa dhe si e përjetove?

Kur më erdhi ftesa ishte emocioni i parë padyshim, por duhet ta mendoja a isha personi i përshtatshëm për kërcim. Më pëlqen shumë si eksperiencë. Kur u futa në prova e pashë që nuk jam fare mirë. Por balerina ime, Erisa është treguar me një durim që ia kam zili. Nuk jam akoma gati, por po bëhem gati. Nuk jam shumë person i kamerave, vihem pak në siklet. Këtë do shohin njerzit, do më shohin para kamerave, në siklet, duke tundur belin.

A po e ndjen konkurrencën me emrat që janë bërë publik deri tani?

Nuk dua ta them kështu, por nuk më ka hyrë ende konkurrenca. Ia kalojmë shumë mirë bashkë dhe po shohim këtë pjesën e bukur. Kam hyrë për eksperiencën, sfidën. Secili nga ne hyn që ta sfidojë veten sepse nuk është fusha e asnjërit. Pastaj do të doja që ta fitoja. Por nuk është kjo gjëja e rëndësishme. E rëndësishme është që t’ia kalosh mirë.

Si e kanë pritur njerëzit e tu të afërt këtë lajm?

Jam munduar ta mbaj sa më sekrete. Kanë qenë një pjesë të surprizuar, një pjesë mezi e presin. Motra ime më menaxhon dhe ajo fillimisht është ajo që më shtyn.

Si të janë dukur konkurrentët e edicionit të kaluar?

Ka pasur disa konkurrentë që më kanë pëlqyer. P.sh. Elhaida dhe Arditi kërcenin shumë bukur dhe shpesh ishte e vështirë të kuptoja a ishin profesionistë apo jo. Pastaj më ka pëlqyer Sara me këtë rrugëtimin që bëri, që erdhi duke u rritur. Po ashtu Megi për të njëjtat arsye. Dua të përmend dhe Salsanon dhe Islin. Ka qenë kast shumë i mirë vjet, edhe këtë vit do të jetë kast shumë i mirë.

Por së fundmi Sardi ka publikuar dhe këngën e tij më të re që mban titullin “Deti” dhe që erdhi në bashkëpunim me Marsela Çibukaj. Artisti ka treguar në fakt se kjo këngë ka një histori shumë të veçantë që e ka lidhur akoma dhe më shumë me këtë projekt…

Si lindi ky bashkëpunim me Marsela Çibukaj?

Me Marselën kemi njohur para 2 vitesh. Po punoj disa këngë të saj që janë shumë të bukura dhe ajo po përgatitet t’i lançojë. Ka një përgatitje shumë të madhe për atë që Marsela do të publikojë në vazhdim. “Deti” lindi si një këngë që e kam dashur shumë që në momentin e parë kur u krijua dhe u krijua me dy pjesë. Ka një histori personale që më lidh shumë me të dhe u dashurova pas kësaj kënge. Janë 3 këngë që kam punuar për të sjellë këtë verë, “Te Ana”, “Kujtom mu” dhe “Deti”. Të treja kanë njëfarë lidhje me njëra-tjetrën. Unë shkruaj shpesh në natyrë, det ose mal, këto janë burimi i frymëzimit tim. Për “Deti” isha nisur një ditë për në Durrës për të ngacmuar veten për të shkruar diçka, por nuk po më vinte asgjë. Kësaj radhe m’u duk sikur detit i jishte ngelur hatri sepse nuk po më jepte asgjë. Nuk po më frymëzonte dhe këtu lindi vargu i parë, pastaj pjesa tjetër rrodhi. Nuk kisha shkruar një strofë të dytë.

Pastaj një natë tjetër më kapi ai ‘budallallëku i artistit’ dhe u nisa rreth orës 01:00 të natës për në Durrës. Ishte tetori i vitit të kaluar dhe kishte filluar një shi i frikshëm, ka qenë një stuhi shumë e madhe por unë nuk doja t’ia dija dhe u nisa për në Durrës. Ora 01:00 e natës dhe kisha atë këngën në sfond duke u luajtur në mënyrë që ta merrja që rrugës atë inspirimin. Diku afër kthesës së Rinasit, më rrëshket makina dhe filloj e rrotullohem, bëj aksident dhe përfundoj jashtë rrugës. Ka qenë një nga momentet më të frikshme që kam kaluar në jetën time, momenti kur nuk ke kontrollin e makinës për shkak të lagështirës. Akoma dridhem pak kur e mendoj atë moment kur ti përpiqesh ta kesh nën kontroll dhe kupton se asgjë nuk është në dorën tënde, fillon i lutesh Zotit dhe bërtet me të madhe: “O Zot më ndihmo!” Nuk kisha asnjë gërvishtje dhe makina u shkatërrua. Kjo ishte dhe ironike, kishte ndaluar makina dhe kënga vazhdonte. Por si eksperiencë më lidhi shumë me këngën dhe u bë kënga ime e preferuar duke bashkuar dhe këtë histori.