U bënë tashmë katër javë që Butrint Imeri mban kreun e listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare me projektin e tij më të ri “Xhanem”.

Ndërkohë që shumë artistë i janë afruar vendit të parë, ata ende nuk kanë marrë votat maksimale për të mposhtur këngën e Butrintit.

Këtë javë, shumë pranë kreut ndodhet bashkëpunimi i Yll Limanit dhe 2Po2, “Dritat”, i cili është ngjitur me 14 pozicione, duke u renditur në vendin e dytë.

Dafina është një tjetër artiste, e cila i është afruar shumë vendit të parë. Projekti i saj më i fundit, “Ti e din”, është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar. Që në javën e parë, kjo këngë u pozicionua në vendin e tretë ndërsa në javët në vazhdim ajo ka mundur të vendoset deri në vendin e dytë por ende jo vendin e parë. Për ketë javë, “Ti e din” mban vendin e tretë.

Një ngjitje të menjëherëshme këtë javë ka patur bashkëpunimi më i ri i Endrit me Rinën, i cili falë votave të publikut është ngjitur me 73 pozicione, duke u renditur në vendin e 27-të.

Sa i përket projekteve të reja muzikore, vetëm një i tillë i është shtuar “The Top List” dhe bëhet fjalë për Paradox me këngën e tyre të titulluar “Soul”.

Ju mund të vazhdoni të votoni të preferuarit tuaj në faqen zyrtare të “Top Awards”:topawards.top-channel.tv. Gjithashtu po në këtë adresë, mund të na sugjeroni këngët që mendoni se duhen të jenë pjesë e këtij klasifikimi.