“Dalim per Hustle” është një nga prurjet më të reja të klasifikimit të “Top Awards” për këtë javë. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut, kjo këngë është futur në listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke zënë vendin e 93-të.

Po kush janë Darzie dhe Hans?!

Darzie dhe Hans janë dy djem nga qyteti i Shkodrës. Hans, i cili është 19-vjeç, ka nisur të këndojë “rap” që në moshën 16-vjeçare, kur filloi të studionte në shkollën e muzikës. Nga ana tjetër Darzie është 25-vjeç dhe jeton në Australi.

Dy reperat janë njohur me njëri-tjetrin para një viti, përmes një miku të përbashkët dhe duke parë pasionin që kishin për muzikën, vendosën të bashkëpunonin për projektin e parë muzikor, “Dalim per Hustle”.

I kontaktuar nga “Top Awards”, lidhur me këtë sukses të këngës, Hans është shprehur: “Të them të drejtën u suprizova nga vlerësimi që mori kënga pasi ne nuk e kemi promovuar ose lançuar në ndonjë televizion por thjesht në rrjetet sociale. Kjo është një shtysë që më bën të krijoj dhe të punoj sa më shumë dhe të mundohem të sjell këngë të reja që pse jo të kenë akoma më shumë sukses se kënga “Dalim per Hustle””.