Këngëtari i njohur Alban Skënderaj ka prezantuar së fundmi projektin e ri muzikor. Ai këtë herë ka bashkuar forcat me artisten Ada, në një këngë verore me plot ritëm. “Ama” titullohet bashkëpunimi i tyre, i cili është kompletuar edhe me videoklip.
Ada është një nga artistet më të reja e të talentuara të tregut. Ajo ka lindur në Tiranë, por jeton në Los Angeles që nga fëmijëria e saj. Që kur ishte ende një fëmijë ajo është rritur me muzikë.
Ada vjen nga një familje muzikantësh, babai i saj ka qenë kompozitor dhe poet, i cili që kur ajo ishte 10 vjeçe e futi në shkollë për piano. Gjithashtu dhe dy vëllezërit e saj janë marrë me muzikë, njëri ka studiuar për kitarë dhe tjetri për violinë. Ada ka mbaruar shkollën në SHBA për kompozim dhe kjo është dhe puna e saj kryesore.
Ajo ka kompozuar dhe ka punuar me artistë mjaft të njohur si Jennifer Lopez, Rihanna e shumë të tjerë, si dhe me disa nga producentët më me famë në Los Angeles. Kur vjen në Shqipëri, Ada punon me disa producentë të njohur në Kosovë dhe kënga “Ama”, me të cilën ajo hyn për herë të parë në Top Awards, është punuar që para 3 vitesh. Kënga ishte menduar të këndohej vetëm nga ajo, por kur i pëlqeu dhe Alban Skënderajt vendosën që ta sjellin si duet.
Gjithmonë ka punuar më shumë si kompozitore, por tani ka vendosur që të vijë dhe si këngëtare, duke e pasur pasion muzikën. Momentalisht është duke punuar me 5 këngë të tjera në anglisht që priten të publikohen shumë shpejt.