“Hajde me shuplakë”, një këngë mjaft interesante e sjellë nga La Fazani vazhdon rrugëtimin e saj në “The Top List” prej 12 javësh tashmë. Këtë javë ky projekt ka arritur që të pozicionohet në vend të 7-të në listë me 6 pozicione më lart nga java e kaluar.

Mesa duket kjo këngë sa vjen e po pëlqehet akoma e më shumë nga publiku. “Hajde me shuplakë” po i reziston dhe projekteve të reja e më verore që janë publikuar së fundmi.

Një këngë parodi dhe satirë të cilën La Fazani e ka shkruar 3 vite më parë, ku trajton tematika të ndryshme social – politike kryesisht të Kosovës. Nëse dëgjon këngën “Hajde me shuplakë”, shikon që përmenden elementët e përditshmërisë që e bëjnë jetën me stres dhe ankth.

Sipas La Fazanit kjo këngë jep një shpresë dhe fton që të kërcejmë përkundër të zezave që mund të na ndodhin në përditshmëri. Një këngë e mirë bën gjithmonë diferencën në “The Top List” dhe “Hajde me shuplakë” nuk kishte si të mungonte.