Nena Parti është një ndër hyrjet më të reja të kësaj jave, i cili si gjithmonë godet në shenjë me prurjet e reja muzikore.

I wish, I am, I promise” titullohet kënga më e re e Nëna Parti, e cila është mirëpritur nga publiku shqiptar, duke e sugjeruar dhe e futur në klasifikimin e “Top Awards“.

Në projektin e radhës dyshja e artistëve, Klejdi dhe Eduina, kanë vendosur të ftojnë një tjetër artist dhe është pikërisht Gonzo.

Kush është Gonzo?

Gonzo (emri i vërtetë Fabio Çani) është një reper dhe tekst-shkrues i ri nga Tirana. Pasioni i tij për artin ka nisur prej poezisë që e ka lëvruar që në fëmijëri dhe është përkthyer në pasion për muzikën në moshën e adoleshencës.

Kënga e tij e parë nën pseudonimin Gonzo, e titulluar “Sandman”, u lançua në YouTube dhe SoundCloud në dhetor të vitit 2017-të.

Nga ajo kohë, ai ka qenë duke eksperimentuar me tingujt dhe nën-zhanerat e hip hopit për të gjetur dhe përçuar zërin e gjeneratës së tij.

Debutimi i tij si tekst shkrues vjen me këngën “God Fell in Love with a Stripper” të duos synthwave Nëna Parti.

Shohim se Gonzo ka ambicie të kapë tregun ndërkombëtar, nisur nga tekstet e shkruara në gjuhën angleze. Por ai na premton se shumë shpejt do të vijë me një album në shqip.

Po si ka lindur bashkëpunimi mes Nena Parti dhe Gonzo?

I kontaktuar nga “Top Awards”, Gonzo ka zbuluar: “Me Nëna Parti kemi nisur të bashkëpunojmë në vitin 2018-të. Bashkëpunimi lindi si frut i respektit të ndërsjelltë artistik dhe më vonë u shndërrua në miqësi. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar me disa projekte, që me gjasa do të publikohen në të ardhmen e afërt“.

Për cfarë flet kënga “I wish, I Am, I Promise”?

Te teksti janë cekur tema personale dhe jo vetëm. Mbizotëron fryma e rebelimit ndaj shtypjes dhe censurës që shoqëria dhe industria muzikore ushtrojnë mbi artistët e rinj. Kënga është strukturuar si një reflektim mbi të shkuarën, konstatim për situatën në të tashmen dhe premtimet që artisti i bën vetes dhe botës për të ardhmen.