Mbrëmjen e së hënës u mbajt premiera e madhe e “Në kuadër të dashurisë”. Ky film aq i shumëpritur nga publiku dhe aq i komentuar përgjatë muajve të fundit u shfaq për herë të parë në Pallatin e Kongreseve.

“Në kuadër të dashurisë” përmban një kast të mahnitshëm aktorësh dhe personazhesh shumë të dashur për audiencën e gjerë. Filmi me protagonistë kryesorë Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocionesh të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq.

Aty, yjet e kësaj premiere parakaluan njëri pas tjetrit, ndërsa bënë dhe fotografi me fansat e tyre. E një pjesë mjaft e rëndësishme e filmit, është dhe kolona zanore e tij.

Të gjithë kemi qenë mjaft kuriozë për të dëgjuar kolonën zanore të filmit, që kur kemi parë Luizin në prapaskenat e xhirimit në Korçë duke performuar në skenë. E patjetër që me publikimin e saj, publiku ka qenë mjaft entuziast.

“Pa ty” mban titullin projekti që është kolona zanore e “Në kuadër të dashurisë”, që sigurisht këndohet nga Luiz Ejlli. Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë arriti të rrëmbejë vendin e parë të listës së 100 këngëve më të votuara të javës.