Klodiana Vata është një artiste e kompletuar dhe këtë e tregon fakti se ajo i bën të gjitha, këndimin, aktrimin, prezantimin por ajo është gjithashtu edhe një tekstshkruese shumë e mirë.

Ndërkohë që me zërin jemi njohur falë shumë projekteve muzikore, së fundmi Klodiana është edhe një ndër moderatoret në “Top Albania Radio” të programit “Live From Tirana”.

Pavarësisht se është shumë e angazhuar, këngëtarja nuk ka lënë pas publikun, i cili dëshiron ta shohë të këndojë dhe kështu ajo ka vendosur ta ketë sa më pranë me këngën e saj më të re “Bosh”.

E konaktuar nga “Top Awards”, Klodiana ka zbuluar më shumë  për planet si edhe për këngën, e cila e ka rikthyer artisten në qendër të vëmendjes.

Top Awards: “Bosh” si lindi si projekt muzikor dhe sa kohë të është dashur të punosh për të?

Klodiana Vata: “Bosh” lindi rastësisht në studio. Dëgjova një “demo”, e cila më tërhoqi me dëgjimin e parë dhe kam shkruajtur tekstin e këngës menjëherë. Më janë dashur 15 minuta për të bërë tekstin ndërsa këngën e kam regjistruar përreth një ore. Kënga është mbaruar e tëra atë natë.

Top Awards: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Klodiana Vata: Për muzikën është kujdesur Ervin Gonxhi ndërsa sa i përket tekstin, sic e përmend dhe pak më lartë, e kam shkruar unë. Klipi është punuar nga Endi Hoxha.

Top Awards: Për cfarë flet teksti i kësaj kënge?

Klodiana Vata: Kjo këngë flet për ata njerëz që e shkatërrojnë një marrëdhënie për shkak të xhelozisë apo shumë shkaqeve të tjera dhe harrojnë të vlerësojnë njeriun që kanë pranë, e në fakt këtë gjë e bëjnë pasi e humbasin këtë të fundit.

Top Awards: Klodiana Vata, këngëtare, aktore, prezantuese, na zbulo të vecantat e secilës?

Klodiana Vata: Lidhja ime me këngën dhe aktrimin nis që në moshën 6-vjecare. Janë dy gjëra të cilat nuk i ndaj dot dhe janë pjese e imja. Janë magji më vete. Prezantimi është një gjë të cilën e zotëroj tashmë prej shumë vitesh dhe kam arritur të jem moderatore e disa prej evenimenteve me të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Radio është një tjetër dashuri, radio është shtëpia ime e dytë.

Top Awards: Cilat janë planet tua më të afërta?

Klodiana Vata: Tani po punoj në studio dhe shumë shpejt do të dëgjoni shumë projekte të reja nga unë. Sa i përket aktrimit do të publikohet shumë shpejt filmi më i ri në të cilin kam luajtur dhe quhet “21001”. Ndërsa momentalisht jam cdo ditë në “Top Albania Radio”, moderatore në emisionin “Live From Tirana”.