I ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio ishte këngëtari Aris Demaj, apo siç të gjithë e njohim me emrin e tij të artit Killua. Një artist padyshim i veçantë dhe me një stil unik që e tregon në çdo projekt të tijin. Vetëm pak ditë më parë ai ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Qytetin”, për të cilën na ka folur më shumë vetë…

Si kanë reaguar njerëzit kur kanë dëgjuar projektin tënd të ri?

Çuditërisht njerëzit kanë reaguar më mirë se me “Bagëti e Bujqësi”, nuk e prisnim. “Bagëti e Bujqësi” ka qenë më ‘fashion’, më eksperimentale dhe më ‘cluby’. Ndërsa “Qyteti” është një këngë pak më ‘underground’, por çuditërisht në bazë të klikimeve dhe feedback-ut që kam marrë në rrjete sociale, po ecën goxha më mirë. 

Por pse titullohet “Qytetin”, cila është fabula e këtij projekti?

Që në momentin që lindim ne kushtëzohemi nga të gjitha gjërat që na rrethojnë, nga rruga e prishur, nga dialekti, nga mënyra se si na flasin prindërit, si na flasin në shkollë, si na flasin mësuesit, ndërtesat, nëse është qyteti gri, ka apo nuk ka diell… Unë jam i kushtëzuar nga qyteti dhe unë po këndoj kushtëzimin e tij duke dashur ta ndryshoj. Pra, kur dua të ndryshoj qytetin, unë automatikisht dua të ndryshoj veten time. Sepse këto janë simbiozë e njëra-tjetrës. Dhe siç ka thënë dhe Tupac: Ndryshimi vjen fillimisht nga individi brenda vetes. 

Kjo këngë duket dhe si një revoltë shumë e madhe. Nga vjen gjithë kjo?

Unë mendoj se çdo shqiptar është i revoltuar. Pastaj ka mekanizma kopjimi që i përshaten atyre të ndryshme, disa ikin siç ndodh me një pjesë të madhe të rinisë, disa vendosin të merren me aktivitete të jashtligjshme, disa vazhdojnë me muzikë dhe disa bëjnë revoltën e tyre përmes pikturës. Unë mendoj se ky vend ka nevojë për revoltë, na mungon revolta. Na mungon që ne të kërkojmë atë që na duket e drejtë dhe të bëhemi bashkë t’i kushtojmë më rëndësi qytetit, gjërave që na rrethojnë. Është krijuar si baladë për të mos qenë shumë e ashpër. Edhe njerëzit që duan të kalojnë një kohë të këndshme mund ta dëgjojnë dhe aty fshehur diku kanë dhe revoltën brenda saj.

Çfarë i pëlqen Killua-s nga qyteti?

Njerëzit. Njerëzit i dua shumë dhe albumi “Rrno për me tregue” i Sir A, shumë nga këngët e Killua-s janë për njerëzit. I dua sidomos njerëzit që kanë pasione, që bëjnë diçka.

Në Shqipëri ndonjëherë është e vështirë që të çash në tregun muzikor dhe shpesh një artist i ri nuk di se ku duhet të trokasë. Çfarë ka Killua për të thënë rreth kësaj? Cili është çelësi për të nisur të prekësh ëndrrën tënde?

Duhet të trokasi brenda vetes së tij… Fillimisht duhet të kesh një identitet, të kuptosh se kush je. Nëse do t’i biesh kitarës, për çfarë arsye? Do të bëhesh këngëtar, do të shkruash tekste, do të këndosh për miqtë e tu, do të jesh cool, që nuk ka asgjë të keqe. Shumë njerëz bëjnë muzikë për të qenë cool. Ti fillon dhe kupton se kush je, çfare të pëlqen dhe pse do që ta bësh. Në momentin që ti je i qartë me këto gjëra, pengesat bëhen më të lehta, sepse ti qëllimin e ke të vendosur dhe fillon dalëngadalë e punon. Ku kam trokitur unë? Unë ja kam nisur me 1 milion lekë borxh, i kam marrë kredi në bankë. Kam marrë dy bokse, një kartë zëri dhe kam nisur vetë. Pastaj studioja mori formë tjetër, mori vrull. 

Por ku ta gjejnë guximin artistët e rinj për të filluar nga zero?

Unë mendoj se nuk duhet guxim për këtë. Por nëse njerëzit nuk kanë guxim për të bërë atë që duan, njerëzit do të jetojnë një jetë të dorëzuar dhe shumë të trishtë.