Aris Demaj, apo Killua siç njihet me emrin e tij të artit, një nga artistët më premtues dhe të talentuar të tregut tonë, ka sjellë së fundmi projektin e tij më ri muzikor, të titulluar “Bagëti e Bujqësi”. Një këngë kjo sa interesante aq edhe unike, jo vetëm nga titulli, por edhe fryma të cilën Killua ka sjellë. Artisti ka qenë sot i ftuar në studion e “Wake Up” për të diskutuar më shumë mbi këtë këngë, por jo vetëm. Killua na ka treguar se pse zgjodhi pikërisht këtë titull, “Bagëti e Bujqësi”.

Si titull nisi nga poezia e Naim Frashërit, “Bagëti e Bujqësi”, si një Rilindas që ishte dhe një ndër nismëtarët e Rilindjes në Shqipëri. Ky titull është për të treguar që edhe unë pas një pauze prej diku 2 vitesh, nisa me të njëjtën dëshirë për të rilindur në një formë të re. 

I pyetur se ku është foksuar ai për këngë dhe çfarë mesazhi ka dashur që të përcjellë, Killua përgjigjet:

Në fakt muzika duhet të ketë një farë esence. Sepse nëse nuk ka një esencë, nuk jam unë, është një vepër e krijuar pa autor. Është nisur me një qëllim për të kapur një masë, por nuk ka esencën e autorit dhe për këtë arsye këngët nuk bëjnë ndonjë diferencë të madhe nga njëra-tjetra, pra janë vetëm për t’u kërcyer. “Bagëti e Bujqësi” është nisur si një projekt, siç thotë Naimi, një peisazh fshataresk të gjërave që ai sheh. Unë duke e ironizuar të gjithë gjënë që ndodh rreth meje dhe muzikët që po dalin, e kam titulluar kështu, në sensin që po prodhojmë të njëjtat gjëra, po hamë të njëjtat gjëra, sepse po na serviret e njëjta gjë. Dëshira ime është që të fillojmë të ndryshojmë pak me krativitetin tonë në esencën që iu japim këngëve, pasi kultura e vendit të caktruar, nëse artistët nuk nisin një nisëm të re, atëherë gjërat përsëriten e përsëriten dhe nuk ka ecuri. 

Megjithatë, në një pjesë të këngës së tij, Killua përmend emrin e Megi Pojanit. I pyetur se pse e ka bërë këtë gjë, artisti nuk ngurron të thotë:

Ajo është një vajzë fantastike, madje kur postova këngën ajo i bëri ‘share’. Është një personazh që nuk e merr literalisht atë që është shkruar për të, thumbuese, sepse nuk ishte. Unë them: “Ata po bëjnë këngë dhe po thonë budallallëqe siç bën Megi Pojani”. Dhe Megi Pojani i bën sepse do një audiencë të caktuar. Dhe për këtë arsye njerëzit bëjnë budallallëqe sepse duan të ekspozohen dhe duan të marrin shikueshmëri. Pastaj është edhe lojë fjalësh: “Këngët po ja ni, si Megi Pojani”. 

Duke qenë intervista e tij e parë zyrtare, për të zbuluar më mirë Killuan, si dëshiron ai që njihet, si Aris apo Killua?

Bëj një jetë shumë kontradiktore për sa i përket muzikës, sepse unë jam një njeri që dua të krijoj, por nuk dua të ekspozohem. Dhe fakti që kam qenë larg emisioneve, radiove, ka qenë sepse nuk dua të ekspozohem, sepse nuk dua të lidhem personalisht si Arisi me atë që krijoj. Kam një shprehje të cilën e kam vendosur në Instagram ku them: “Po luftoj të bëhem i famshëm që një ditë të jetoj në anonimitet të plotë”. Por duke qenë se gjërat po konsumohen shumë shpejt, njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë produktin, zgjodha të dal vetë. Dhe ku më mirë se Top channel, Top Albania Radio dhe Wake Up.

Por pse Killua nuk ka publikuar aq shpesh? A do të donte ai që të ishte më i pranishëm në treg?

Në fakt që nga publikimet e para, siç ishte dhe “Te molla” me Arnon, unë vendosa që të marr një pauzë dhe të punoj mbi dy albume, të cilat i kam gati. Janë rreth 20 këngë që janë punuar për një vit e gjysmë. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë për shkak të pandemisë, nuk xhironim dot, nuk krijonim dot. (Covidi) ne na ka penguar disi, por tani jemi plot me projekte dhe po presim që t’i lançojmë dalëngadalë.

2 albume dhe 20 këngë nuk janë pak. Çfarë ndodh me ato këngët, sa ndryshe janë nga njëra-tjetra dhe sa ndryshe janë nga ato që kemi dëgjuar më parë?

Albumi që nisi me këngën “Bagëti e Bujqësi” titullohet “Metamorfoza”. Quhet e tillë sepse është shndërrimi i një krimbi në një flutur, pra nis nga diçka dhe i gjithë procesi i ndryshimit vjen dhe kthehet në një flutur. Nuk dua të bëj filozofi, por shkollat e vjetra të filozofisë thonë se e vetmja gjë që nuk ndryshon është ndryshimi. Por në vendin tonë fatkeqësisht njerëzit po prodhojnë të njëjtin material. Ky album ka si qëllim që të sjellë të gjitha produktet shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, për të parë dhe qasjen e njerëzve ndaj tyre.

Për sa i përket moshës që Kllua dëshiron që të dëgjojnë muzikën e tij, çfarë audience synon ai?

Nuk mund të them se e nis për një audiencë të caktuar. Është e vërtetë që të kesh mosha të ndryshme që pëlqejnë muzikën tënde është diçka e mirë, por kur do të marketosh produktin ose kur do ta sjellësh një koncert të caktuar, është pak problem sepse mendon kush do të na vijë.

Duket sikur Killua i ka shumë të llogaritura gjërat, duke filluar nga daljet e tij të pakëta e deri tek projektet.

I kam disi të llogaritura po nuk do të thoja 100%, sepse nuk i dihet se çfarë ndodh. Kur erdhi Covidi ne kishin bërë të tjera plane, pra mund të llogarisim deri në një farë pike, por kurrë 100% të planit tonë strategjik për të lançuar një produkt. Sigurisht që janë të mirëmenduara sepse janë projekte të cilat ne nuk i punojmë brenda javës. Edhe zgjedhja e fjalëve edhe ajo që duam të transmetojmë edhe vizualisht, sepse “Bagëti e Bujqësi” vizualisht është një koncept tjetër të të bërit videoklip. 

A dëshiron Killua që të sjellë bashkëpunime me artistë të tjerë?

Për momentin po kërkoj, jam shumë i hapur. Unë mezi pres të bashkëpunoj me njerëz që duan të sjellin frymë të re dhe frymë të mirë. Por do shohim rrugës. 

“Bagëti e Bujqësi” ka hyrë këtë javë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List” këtë javë. Momentalisht ky projekt renditet në vend të 10-të. Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, mund ta votoni atë për ta ngritur sa më lart në pozicionimin në listë.