Trim Ademi, i cili ka nisur të merret me muzikë thuajse rreth 15 vite më parë, ka vendosur ta kurorëzojë të gjithë suksesin e tij me një koncert recital më datë 20 shtator në sheshin Nënë Tereza.
I ftuar në “Wake Up”, Kapoja ka zbuluar detajet nga koncerti i tij i parë recital të titulluar “Time Capsule”. I pyetur nga drejtuesja e programit Ori Nebijaj, se pse artisti ka vendosur ta titullojë pikërisht “Time Capsule” këtë koncert, Capital T ka thënë:
“Titullin “Time Capsule” e ka marrë për shkak të kuptimit të saj, udhëtim nëpër kohë. Unë tashmë kam thuajse 15 vite që merrem me muzikë edhe pse shumë njerëz nuk e dinë që unë kam nisur muzikën në moshë shumë të vogël. Eshtë “Udhëtim Nëpër Kohë”, prej projekteve të para dhe deri tek më të fundit, duke qënë se jam një tip që prodhoj dhe punoj shumë. Muzika është diçka që e dua dhe jam gjatë gjithë kohës duke prodhuar diçka të re.”
“Kur jam nëpër koncerte të ndryshme, koha është e limituar dhe si pasojë nuk mund të këndoj shumë këngë të miat të herëshme edhe pse më shkruajnë shumë që pse nuk e performova këtë këngë apo atë këngë”.
Reperi i dashur i publikut shqiptar ka zbuluar se ka më shumë se një vit që ka nisur punimet për këtë koncert dhe thuajse çdo gjë është gati për ditën më të madhe të karrierës së tij derimë tani.
Pavarësisht se duhet të kishte publikuar më pak projekte të reja, duke krijuar një mungesë në treg për t’u rikthyer fuqishëm me këtë koncert, Capital është shprehur se nuk ka mundur t’i rezistojë publikimit të këngëve pasi kanë qënë vërtet shumë të bukura.
Këtij koncerti do i bashkohen disa emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare, me të cilët Kapoja ka bashkëpunuar gjatë gjithë karrierës së tij. Edhe pse për “Wake Up” ai ka konfirmuar Majk, Alban Skënderaj dhe 2po2, artistë të tjerë priten t’i bashkohen skenës por që mbeten mister.
Po cilat janë sukseset dhe rekordet e Capital T në “The Top List”?
Capital T, artisti i parë në “The Top List” me 11 këngë njëherësh
Po të kthehemi pas në kohë në tetor 2017-të, do të kujtojmë që Capital T ishte artisti i parë në “The Top List” që vendosi rekordin, duke u bërë me 6 këngë njëherësh në klasifikim. Këtë rekord ka mundur ta thyejë vetëm ai, duke patur 11 këngë në total në klasifikim, duke e merituar më së miri titullin Kapoja i muzikës shqiptare.
Capital T, me këngën me jetëgjatë në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”
Një tjetër rekord i arritur nga Capital T është bashkëpunimi i tij me Elvana Gjatën dhe 2po2, “Lejla”, e cila është kënga më jetëgjatë në historinë e klasifikimit të “Top Awards”. Edhe pse Kapoja ka prodhuar muzikë të re tepër të bukura, duket se ende nuk është publikuar një projekt që të konkurrojë fortë “Lejla”. Këtë javë “Lejla” shënon 152 javë në klasifikimin e “Top Awards”.
Vendet e para të Capital T në “The Top List”
Capital T ka mundur të zërë vendin e parë të listës zyrtare të “Top Awards” plot 13 herë që prej fillimit të këtij klasifikimi në dhjetor të 2015-ës. Nëse do të kthehemi pas në kohë, do vëmë re se “Hitman” ka zënë vendin e parë një javë, “Lejla”- 4 javë, “Uno” – tre javë, “Andiamo” -tre javë dhe “Fustani”- dy javë.
Momentalisht Capital T gjendet në klasifikim me 7 këngë, ku projekti i renditur më mirë është bashkëpunimi i tij me Elvana Gjatën, “Fustani”.