Një dyshe sa e papritur aq dhe e kombinuar më së miri, rezultoi në krijimin e një projekti të suksesshëm. E kemi fjalën për Lorenc Hasramën dhe Kennz, të cilët kanë sjellë ”Të doja”.

Bashkëpunimi i këtyre dy artistëve është pritur mjaft mirë nga publiku, të cilët me votat e tyre e kanë pozicionuar në vend të 34-të të klasifikimit të ”The Top List”. Ky projekt u publikua vetëm pak ditë më parë, kur Lorenci ishte ende pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, atë të ”Big Brother VIP”.

Kjo në fakt ka sjellë edhe më shumë interes tek ky projekt. “Të Doja” ka marrë reagime mjaft pozitive në rrjet nga fansat e dyshes, të cilët duhet thënë që janë përshatur më së miri me njëri-tjetrin, edhe pse i përkasin dy stileve mjaft të ndryshme.

Teksa kishte kaluar pak kohë që kur Lorenci ishte pjesë e klasifikimit, për Kennz nuk ka ndodhur kështu. Artisti ka qenë disa herë në listë me projekte solo dhe më i fundit ishte “Harrove”, publikuar në dhjetor të vitit që lamë pas.

Megjithatë, duket se ky projekt ka rezultuar mjaft i suksesshëm për të dy artistët duke arritur një pozicionim të mirë në listë. Na mbetet të presim dhe të shohim si do jetë ecuria e ”Të doja” në vazhdim.