Këngëtari i njohur Bardhi, ka surprizuar fansat me publikimin e këngës së tij më të re, “Çikës tem”, një krijim që përmban emocione të thella dhe reflektim mbi sfidat e tij të fundit. Kjo këngë vjen në një moment të veçantë për Bardhin, i cili së bashku me Sara Gjordenin, partneren e tij, presin të bëhen prindër për herë të parë.

Në këngën “Çikës tem”, Bardhi shpreh ndjenjat e tij për sfidat dhe vështirësitë që ka kaluar kohët e fundit, përfshirë problemet financiare dhe anulimin e koncertëve nga ish-menaxheri i tij, pas një konflikti të ndodhur mes tyre. Vargjet e këtij projekti kaq emocionues flasin për një periudhë të vështirë në karrierë, duke pasqyruar përpjekjet e tij për t’i kaluar këto pengesa.

Me një melodi që prek zemrat, Bardhi tregon se si dashuria për Sarën dhe pritja e fëmijës së tyre i japin forcë për të vazhduar përpara. Bardhi tregon për pamundësitë financiare, për ikjen e miqve dhe thotë ”Dritë më lanë pa lekë”.

Por, ajo që është më kryesorja, artisti ka ndarë me të gjithë emrin e bebushit që pritet të vijë në jetë së shpejti. Nea, ky është emri që dyshja kanë zgjedhur për vogëlushen e tyre, që do i bëjë prindër për herë të parë.

“Çikës tem” arriti të përçojë plot emocion dhe ndjesi tek publiku i gjerë dhe është projekti më i komentuar i javës së fundit. Bardhi është pozicionuar menjëherë në vend të dytë të klasifikimit të “The Top List” momentalisht.