Big Brother Vip Albania është një fenomen social që mbërthen fort jo vetëm vëmendjen por edhe debatin publik. Prej datës 13 Janar në Top Channel ka nisur edicioni i tretë i “Big Brother VIP 3”.

Një reality show, i cili që në natën e parë të spektaklit arriti të gozhdonte para ekranit teleshikuesit dhe rezultoi të ishte mjaft i suksesshëm. Për efektet e këtij formati të gjithë kanë diçka për të thënë, si ata që e shijojnë e argëtohen, por edhe ata që janë kundër. Por, të gjithë janë dakord në një pikë: “Big Brother” nuk lë askënd indiferent.

Ajo që ndodh në shtëpinë e “Big Brother VIP”, padyshim që është më e ndjekura e më e komentuara në rrjetet sociale, si edhe në jetën e përditshme. Në lidhje me audiencën shumë të madhe të këtij spektakli ka mendime të ndryshme. Suksesi ka kaluar kufijtë e një spektakli në ekranin e televizorit e tani jemi përballë një fenomeni social që mund të quhet edhe si “Big Brother Mania”.

Para pak ditësh banorët kanë festuar plot 100 ditë qëndrim në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Ata madje gjetën mënyrën më speciale dhe unike për ta shënuar këtë ditë.

Banorët kanë surprizuar publikun me një projekt muzikor të cilin e kanë krijuar përgjatë këtyre ditëve brenda shtëpisë më të ndjekur të “BBV3”. Tashmë kënga “Kap prime”, jo vetëm që ‘kapi prime-in’ por edhe “The Top List”, pasi projekti jo vetëm që ka hyrë në klasifikimin e javës, por madje edhe kreun e listës.