E ftuar në emision “Back to the Beginning” në Top Albania Radio me Kozeta Kurtin, ka qenë Anxhela Peristeri. Këngëtarja e njohur ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj si ka nisur gjithçka. Një rrugëtim pas në kohë që në fëmijërinë e saj dhe deri sot.
Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, unë kam lindur në qytetin e Korçës. Kam kujtime shumë të bukura nga fëmijëria. Më pas në moshën 14-vjeçare u largova, erdha në Tiranë. Deri 20 vjeç isha këtu dhe pastaj në Greqi.
Më tej ajo shtoi se:
Gjithmonë kam dashur që të bëhem këngëtare, prindërit në moshën 6-vjeçare më kanë futur në shkollën e muzikës për violinë dhe më pas unë vazhdova Liceun Artistik për Kanto, për muzikë klasike.
Si ka lindur pasioni i saj më i madh për muzikën?
Pasioni im më i madh ka qenë muzika e lehtë dhe që në moshën 14-vjeçare mundohesha që të gjeja vende dhe televizione që unë ta shfaqja talentin tim ku mund ta shihnin njerëzit dhe unë të bëhesha e famshme. Dihet tashmë që edhe kushtet e familjeve në atë kohë nuk kanë qenë shumë të mira ekonomikisht dhe unë mundohesha që me punën time të ndihmoja pak edhe familjen. Kështu që u detyrova që të punoj që 14 vjeç.
Largimi i Anxhelës nga Shqipëria për në Greqi si ka qenë?
Faktikisht viti i parë për mua ka qenë pak i vështirë. Vajta në një shtet të huaj sigurisht pa ditur as gjuhën sepse në atë kohë nuk flisja greqisht thjesht dija vetë disa këngë përmendësh.
E mora këtë iniciativë sepse doja diçka të re, doja një fillim të ri. Një vend me një muzikë që më pëlqente që prej asaj kohe. Ka qenë Devis Xherahu ai që ma ka mbushur mendjen. Viti i parë ka qenë i vështirë sepse ika edhe pa familjen, sigurisht që kam ndjerë një lloj racizmi jo vetëm nga grekët mund të them edhe nga disa goca që punonin me lulet dhe ishin bullgare. Ato më bullizonin. Është ai njeriu i ri që erdhi papritur në një vend që nuk njeh njeri. Edhe kam qarë edhe jam mërzitur por është një pjesë tani që nuk e kujtoj dot fiks sepse sikur më është fshirë nga truri sepse edhe vitet që pasuan ishin vërtet të bukura.
Më tej Anxhela tregoi se:
Kam shkuar në një audicion tek i cili më kanë marrë menjëherë pasi këndova një këngë në anglisht dhe në greqisht. Kam filluar punë në mes të sezonit dhe është hequr një këngëtare tjetër që jam marrë unë. Në atë buzuk punonin emra shumë të mëdhenj në atë kohë dhe unë kam punuar për tre vite.
Teksa po diskutonin në studio në lidhje me muzikën dhe emocionin që ajo përcjell tek artistët që performojnë ‘live’, Anxhela u shpreh se:
Nuk krahasohet fare emocioni që merr duke kënduar live me emocionin që merr duke kënduar me një USB. Tani mendoj që njerëzit e kuptojnë se kush është këngëtar i mirë dhe kush nuk është këngëtar i mirë. Okej, ka edhe këngëtarë që janë shumë të famshëm sepse kanë bërë shumë hite, ndoshta nuk janë këngëtarë aq të mirë. Secili ka bërë një gjë mirë për të qenë aty ku është them unë.
Më tej ajo shtoi se një nga artistet e saj të preferuara ka qenë Aurela Gaçe me këngët e saj dhe për mënyrën se si i interpretonte.
Unë kam pasur shumë qejf Aurela Gaçen. Vdisja për këngët e saj. Ajo është një këngëtare që po ashtu interpreton me shpirt.
Tani që Anxhela ka edhe famë, popullaritet dhe pavarësi ekonomike duke i plotësuar vetes çdo dëshirë dhe nevojë. A është fama në qendër të vëmendjes apo është diçka tjetër prioritet për të si artiste?
Fama është e bukur në momentin e parë kur ti kupton që njerëzit të njohin dhe të duan dhe duan të bëjnë një foto me ty. Ti ndihesh shumë mirë dhe unë e kam arritur këtë gjë që në moshën 16-17 vjeçare.
Ndër të tjera artistja tregoi se:
Nuk e kam ndërtuar karrierën time në kërkim të famës, gjithmonë më ka pëlqyer që të bëj atë që dua, e cila është kënga. Jam munduar që ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme sigurisht duke iu përshtatur edhe tregut që ne jemi. Mendoj që në këtë moment që jam tani nuk është fama kryesorja. Ajo që ka rëndësi dhe është kryesore është që të prodhoj këngë të bukura për njerëzit dhe të jetoj jetën time sa më qetë të jetë e mundur.