Nëse ju kishte munguar Kaltrina, epo tashmë mund të çmalleni pasi ajo është një nga hyrjet e reja të kësaj jave në klasifikimin e “The Top List”. Këngëtarja ka sjellë projektin e saj më të ri të titulluar “PRS”.

Kaltrinën e keni dëgjuar për herë të parë në Top Awards me një projekt mjaft të veçantë që mbante titullin “Borëbardha”. Megjithatë që pas këtij projekti, Kaltrina pati disa muaj pauze. Kjo vetëm sa e ndihmoi atë që të rikthehej shumë fuqishëm në listë.

“PRS” është sërish një projekt special, me thuajse të njëjtat tone si “Borëbardha”. Duket se kjo këngë i përshtatet mjaft mirë Kaltrinës, pasi ajo ka lindur në Paris. Këtu ajo është njohur për herë të parë me muzikën akustike.

Të gjitha këngët ajo i punon në studio në qytetin e Parisit, ku dhe jeton aktualisht, ku bashkëpunon me kompani të ndryshme ndërkombëtare për projektet e saj që do të vijnë së shpejti. Por sigurisht që Kaltrina nuk i ka lënë aspak pas rrënjët e saj shqiptare. “PRS” e ka renditur Kaltrinën në vend të 87-të të klasifikimit të “The Top List” për këtë javë.